14.1 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Rama: Shyqyr që iku Rugova pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se teoricienët dhe praktikantët në Prishtinë mendojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke nxitur armiqësi ndaj Qeverisë së Shqipërisë. Rama tha se nuk ka nder më të madh se të jetë i bashkë-akuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar. Ai i ka quajtur video propagandistike videot, në të cilat shihen ish-udhëheqësit e shtetit, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Ramush Haradinaj.

Në deklarimin e tij para deputetëve në parlamentin e Shqipërisë, ai tha se “shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij”.

Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Rama në deklarimin e tij ka folur për veprimet e qeverisë shqiptare pas agresionit serb në veri të Kosovës, qëndrimet e Prishtinës zyrtare ku pati kritika të ashpra për kryeministrin Albin Kurti.

“Teoricienët dhe praktikantët e patriotizmit elektoral, ta dëgjojnë edhe këtu sot se për mua nuk ka nder më të madh në raport me Kosovën se të jem i bashkë-akuzuar me Hashim Thaçin si tradhtar. Dhe nuk ka provë më të madhe se sa kjo aktakuzë e përbashkët me Hashimin për dritë-shkurtësinë dhe pa përgjegjshmërinë historike të përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke zhgarravitur flamurin e fitores së lavdishme të UÇK-së, e cila do të jetë krenari shekujsh për shqiptarët, ku zhgarravistët e sotëm të saj do të jenë të harruar pa nam e pa nishan. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët UÇK-ja nuk do ta kishte fituar dot kurrë luftën e Kosova nuk do të ishte njohur kurrë si shtet nga thuajse gjysma e botës. Dhe fatkeqësisht kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë, fitohet duke nxitur armiqësi ndaj Qeverisë së Shqipërisë dhe ndaj meje personalisht”, deklaroi ai në seancë plenare.

Teksa foli për agresionin serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Rama tha se veriun e Kosovës e konsideron si tokën e askujt.

“Unë e karakterizoj veriun e Kosovës, jo Kosovën natyrisht, me shprehjen angleze ‘no man’s land’. Po pse nuk qenka ‘no man’s land’, kur aty lulëzojnë aktivitete të paligjshme kriminale, kur aty s’ka asnjë kontroll dhe s’ka asnjë mundësi të parashikosh se çfarë vjen nesër. Çfarë është kjo, çfarë ishte Lazarati ‘no man’s land’. Shumë e thjesht. U nxora nga konteksti, me një frymë, shpejt u keq shfrytëzua me epsh të posaçëm nga gjithë strategjinjtë dogmatik dhe kalamgjinjtë të Prishtinës zyrtare dhe të Tiranës. Përfshirë edhe strategjinë patetik të planetit ‘Non Grata’”, deklaroi ai.

Vrer të inateve politike provinciale, i ka quajtur Rama videot e shpërndara kundër pushtetit të kaluar në Kosovë, të cilat tha se qëllim kanë diskreditimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Isa Mustafës.

“E gjithë kjo tollovi germash ku në lumenjtë e marrëzive të thëna dhe të shkruara nga dy anët, gjaku i dëshmorëve të Kosovës nga ai i komandantit legjendar Adem Jashari, tek ai i efektivit të policisë, Afrim Bunjaku, përzihet me vrerin e inateve politike provinciale, i cili pastaj shpërndahet në rrjete sociale me video të porositura për të diskredituar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinaj, Isa Mustafen… Nuk më bën mua, kjo është e vërteta më e hidhur. Na bën dëm, i bën dëm dinjitetit të Kosovës, i bën dëm marrëdhënieve strategjike mes Kosovës dhe komunitetit euroatlantik, i bën dëm procesit të shtet-njohjes përfundimtare të Kosovës ”, shtoi ai në seancë plenare.

Teksa përmendi raportet me kryeministrin Albin Kurti, Rama tha se ka divergjenca botëkuptimore. Ai dënoi rëndë shpërndarjen e videove ku Ramush Haradinaj shihet duke trokitur gotat me përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Ramush Haradinaj, me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal kur ai ishte kryeministër. Ndërsa, me Albinin nuk kam pasur kurrë asnjë problem personal. Madje në nivel personal e kam kënaqësi të bisedojë me të, por me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka pse më pengon sot, as që t’i kem, as që t’i shpreh divergjencat që janë të lidhura pa zgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua personalisht. Por gjithashtu që fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk ka se si më pengon që ta shpreh këtu neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë ditëve të fundit përmes tastierave të luftës civile digjitale, kur Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëjë copë-copë nga trollcat e trush-përlarjes kinse patriotike”, deklaroi ai më tej.

“Turpi i mbuloftë” tha Rama teksa komentoi në seancë plenare këtë video, ku shtoi se këto janë mjete mizerable sulmi për ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj.

“Duke varrosur vëllezër dhe shokë lufte të vrarë dhe duke rrezikuar të marrë vet plumbin e armikut në ballë dhe nuk ka luftë imagjinare për të bërë me hapje varresh digjitale në Facebook për ata që mendojnë ndryshe, pa rrezikuar asgjë, të fshehur pas profileve false, nuk ka se si ta ketë problem fare të trokasë gotat me deputetët serbë të Kosovës në një koktej komplet të zakonshëm. Dhe prapë do të ishte e neveritshme që të sulmohej me diçka të tillë me këto mjete mizerabël kineze të Mao Ce Dunit, duke u futur në rreth si tradhtar i kombit. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe nuk ka kush nuk ka gurë për të hedhur pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe e bën paqen kur është për të bërë paqen. Prandaj turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë me lehtësinë e një puple se pa qindra e mijëra Ramusha të UÇK-së nuk do e gëzonin lirinë e shprehjes deri në mundësinë ekstreme të abuzimit dhe as s’do kishin shans fare të derdhnin për ditë plumba fjalësh”, tha Rama.

Në deklarimin e tij para deputetëve në parlamentin e Shqipërisë, ai tha se “shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij”.

“Pastaj them me vete shyqyr që iku Ibrahim Rugova nga kjo botë pa parë ndonjë video propagandistike për tradhtinë e tij dhe pa u kryqëzuar edhe ai me ato gozhdat e helmit digjital, si axha i Vuçiqit. Nuk është rastësi, është thjesht vazhdimësia e një vije të vjetër uji të helmuar me nacionalizëm bajraktar dikur dhe pastaj elektoral dhe me dritë-shkurtësinë strategjike dhe pa përgjegjshmëri kombëtare që ata andej dhe këta këndej, të cilët rikthejnë në çdo skenë krize në veri të Kosovës dhe në çdo skenë takimit tim me presidentin Vuçiq, janë po ata prapë që mua më shpallën tradhtar të kombit kur u nisa për Beograd”, u shpreh ai.

Kryeministri shqiptar, Rama përmendi disa herë edhe etiketimet që po i bëhen në Prishtinë e Tiranë.

“Deri tek kryeministri i Shqipërisë, tradhtar i kombit e të vijë Ramoviçi, gëzuar pra-zhivelli. Bjerini pra daulleve, tastierave për të luftuar me Ramoviçin, më shumë me Ramoviçin bile se sa me vet Vuçiqin. Dhe ajo që dua të ju kujtojë është se këtu në Tiranë vetëm me këtë rrugë thellohen fitoret imagjinare të armatës së kapur pas së shkuarës, përpjekjen për të marrë në kontroll të ardhmen”, përfundoi ai.

Ai shtoi se presidentin e Serbisë do ta takojë sa herë ta konsiderojë të nevojshme, sepse sipas tij, kështu i shërben më mirë interesit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë seancë parashihet edhe një mocion me debat dhe miratimi i projektrezolutës në mbështetje të Kosovës.

Debati pritet të zgjasë minimalisht 5 orë, ndërsa nga seanca e kaluar ka pasur përplasje të forta me opozitën që ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si e ka trajtuar “24 shtatorin”, ndërsa për partinë në pushtet opozita kërkon të bëjë politikë me Kosovën.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA