Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në platformën “X” pas protestës së djeshme të opozitës, duke kritikuar Partinë Demokratike për dhunën e ushtruar.
Sipas Ramës, PD-ja është “e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës – pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves – që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur”.
Ai theksoi se “këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur punonjësit e policisë” dhe shprehu shpresën që drejtësia të ndëshkojë përgjegjësit pa ngurrim.
Rama shtoi se fatin politik të këtij cikli protestash do ta vendosin zgjedhjet e ardhshme, duke paralajmëruar një disfatë më të madhe për opozitën, ndërsa qeveria do të vazhdojë “rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”.






