Qytetari Sylejman Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë ekonomike, duke thënë se ka parë qytetarë të cilët janë detyruar të marrin para borxh vetëm për të blerë bukë.
Duke folur gjatë një proteste kundër paralajmërimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Krasniqi tha se situata është alarmante dhe se shumë familje po përballen me vështirësi serioze për mbijetesë, raporton Ekonomia Online.
“I kam pa njerëzit tu marrë bukë veresie, nuk kanë me çka me ble një bukë. Krizë e madhe”, ka deklaruar ai.
Krasniqi, i cili tha se është inxhinier në KEDS, theksoi se fatura e energjisë elektrike i është rritur në mënyrë drastike. Sipas tij, nga rreth 50 euro sa paguante më herët, tani është detyruar të paguajë mbi 300 euro.
“Unë e kam pasë rrymën deri në 50 euro, tash e kam 333 euro. Po i marr paratë hua te miqtë, vëllezërit, dajt, baba e nana. Dikush duhet me të ndihmu, se pa bukë mbetesh”, tha ai.
Ai shtoi se qytetarët po detyrohen të hyjnë në borxhe për shkak të rritjes së kostos së jetesës, ndërsa shprehu kritika edhe ndaj politikave aktuale shtetërore.
Protestuesit kundërshtojnë paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke kërkuar masa konkrete për mbrojtjen e qytetarëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.






