QKUK-ja siguron skanerin për kancere, mirëpo s’do të përdoret menjëherë

Përgatiti: Sara Shehu

Për herë të parë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka siguruar pajisjen për diagnostikim dhe menaxhim të llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të disa sëmundjeve të tjera, të njohur si PET/CT.

Në ceremoninë e pranimit të kësaj pajisje e cila është donacion nga Arabia Saudite, Presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosovë bëhet një nga shtetet e vetme në rajon, që posedon këtë pajisje në sektorin publik.

“Sot vërtet është një dite veçantë dhe ditë e suksesshme dhe e jashtëzakonshme për sektorin e shëndetësisë në vendin tonë. Kjo ditë dhe kjo ngjarje në zemër të Prishtinës jo vetëm që shënon një moment kulminant për shërbimin mjekësor që do t’i ofrohet qytetarëve tanë por është edhe një mundësi e rëndësishme që të festojmë partneritet tona që kapërcejnë kufijtë dhe që dëshmojnë ndikimin jashtëzakonisht të rëndësishëm të solidaritetit ndërnjerëzor. Deri më tani qytetarët tanë u është dashur të udhëtojnë në rajon e përtej duke i nënshtruar sfidave të shumta edhe shëndetësore edhe financiare, andaj kjo pajisje e re simbolizon një pik kthesë ku njerëzit tanë mund të marrin kujdesin që nevojitet pikërisht këtu në shtëpi të rrethuar nga familja dhe më të dashurit e tyre”, tha Osmani.

Me pranimin e kësaj pajisje, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, tani qytetarët nuk do të kenë brengë që të udhëtojnë jashtë Kosove, për të marrë shërbime, të cilat i ofron aparati i njohur si PET/CT.

“Si ministër i Shëndetësisë nuk ka asgjë me të rëndësishme për mua se sa të sigurojmë gjithë bashkë shërbime të reja cilësore dhe të barabarta për qytetarët e Kosovës, duke ju falënderuar ndihmës së Mbretërisë së Arabisë Saudite. ky donacion do te jetë mundësi dhe shpresë për qytetarët tanë. Janë mbi 300 qytetarë të Republikës Kosovës që brenda vitit kanë shkuar duke kërkuar jashtë vendit për këtë lloj diagnostikimi”, tha Vitia.

Mirëpo, pavarësisht asaj çka tha ministri Vitia, kjo aparaturë nuk mund të përdoret edhe për një kohë, pasi objekti ku është vendosur aparatura, duhet të marrë leje të veçantë, stafi duhet të trajnohet dhe materiali shpenzues duhet të sigurohet.

Ndërkaq, kjo pajisje, në vlerë prej 1.5 milion eurosh, është siguruar si donacion, përmes angazhimit të Fondacionit Jahjaga.

“Ofrimi i këtij shërbimi do të reduktojë edhe ngarkesën financiare të sistemit tonë të shëndetësisë, duke mundësuar që fondet e kursyera të ndahen në fushat e tjera të shëndetit”, tha ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Së bashku me miken time ish presidenten Jahjaga dhe qeverinë e Kosovës që tregon dedikim dhe përkushtim për të qëndruar së bashku për të qëndruar dhe shërbyer njerëzve të Kosovës”, tha mia Bint Majed Saud Alsaud, sekretare e përgjithshme e Alwaleed Philanthropies.

Aparatura ka arritur në QKUK qysh më 14 shkurt, por nuk është funksionalizuar ende.

Në anën tjetër, Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka thënë se numri i të prekurve nga kanceri është në rritje.

“Për tre muajt e parë që ne flasim kemi identifiku ose regjistru në klinikën e Onkologjisë rreth 515 vetë me kancer ose tumore te të rriturit që në krahasim me vitin e kaluar është diku 10 përqind më shumë do të thotë nëse ky trend vazhdon ne do të kalojmë edhe vitin 2023 i cili ka qenë viti me më së shumti raste të regjistruara të tumoreve, ka kapur shifrën e 2 100 pacientëve dhe këtë vit ky numër mund të kemi ndoshta numër edhe më të lartë”, tha Kurtishi.

Në fund të vitit të shkuar, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë rreth 600 mijë euro për rinovimin e objektit të Onkologjisë në të cilin marrin trajtim pacientët me kancer.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA