Përgatiti: Sara Shehu
Në muajin tetor siç njihet ndryshe edhe muaji rozë, radha për të kryer një mamografi, pothuajse në çdo Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare, në çdo qytet, është e gjatë.
Njësoj është edhe në QKMF-në në Ferizaj.
Madje, këtu tollovinë po e shkakton edhe më shumë mungesa e radiologëve.
“Në muajin tetor, interesimi për mamografi është rritur goxha, meqenëse njihet si muaji rozë. Kemi rritje, pra në muajin tetor, deri më sot, kemi kryer 180 mamografi, ndërkohë në muajin shtator e tjerë ka qenë vetëm 80. Por kemi mungesë të stafit. Mamografia kryhet vetëm nga një radiologe që ndihmohet nga dy infermiere të radiologjisë”, tha Xhevdet Haxhidema, shef i sektorit të diagnostikës në QKMF.
Por, pavarësisht mungesës së stafit mjekësor, Drejtori i Shëndetësisë, Kemajl Emini, thotë se shërbimet e Mamografisë po realizohen duke thënë se kanë bërë bashkëpunim edhe me nivelin qendror për këtë shërbim mjekësor.
“Kemi bërë një agjendë të kompletuar me menaxhmentin e QKMF-së, e së bashku me delegatë të kuvendit komunal, në bazë të ligjëratave, kemi rritur vetëdijesimin për ta parandaluar këtë sëmundje, këto ligjërata kanë ndikuar në rritjen e mamografisë”, tha Emini.
Sipas menaxhmentit, drejtues të kësaj qendre, aktualisht aty kryhen deri në 10 mamografi brenda ditës, por lista e pritjes është e gjatë deri në janar të vitit 2024.
Me mungesë të radiologëve po përballen edhe disa qendra të tjera të mjekësisë nëpër komuna të vendit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: