Qeverisë e ZRrE-së i kërkohet shtyrja e afatit të daljes në tregun e lirë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka ngritur alarmin për pasojat që mund të shkaktojë vendimi i fundit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve jo-shtëpiake në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Përmes një reagimi publik, kjo shoqatë kërkon rishqyrtim urgjent të vendimit, duke e cilësuar të nxituar dhe të padrejtë, për shkak se, sipas tyre, po zbatohet pa periudhë tranzicioni dhe pa përgatitje institucionale e tregtare.

“Bazuar në të dhënat tona, me një vendim të tillë rrezikohen mbi 1240 kompani aktive, përfshirë 130 kompani prodhuese, të cilat punësojnë në total mbi 143,000 qytetarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LBK-së, duke theksuar se ky segment është jetik për zhvillimin industrial dhe qëndrueshmërinë sociale.

Shoqata kritikon edhe mënyrën se si janë kategorizuar bizneset, duke thënë se ndarja vetëm sipas numrit të të punësuarve krijon pabarazi të theksuar.

“Vendimi aktual, i cili kategorizon bizneset në mënyrë të padrejtë vetëm mbi bazën e numrit të të punësuarve, krijon padrejtësi të dukshme. Ilustrim konkret i kësaj pabarazie është rasti i dy kompanive me të njëjtin aktivitet prodhues: Kompania A me 43 të punësuar, e cila mbetet në tregun e rregulluar, dhe Kompania B me 57 të punësuar, e cila detyrohet të dalë në tregun e lirë dhe të përballet me rritje çmimi mbi 240%”, thekson LBK.

Kjo ndarje arbitrare, siç e quan LBK, jo vetëm që cenon konkurrencën e drejtë në tregun vendor, “por e bën të pamundur konkurrueshmërinë e bizneseve tona në tregun evropian, në të cilin pretendojmë të integrohemi”.

LBK thotë se kërkesa e tyre është e qartë dhe e argumentuar në baza ekonomike dhe praktike.

“Të shtyhet zbatimi i vendimit deri në vitin 2027, duke ofruar kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tregut, ndërtimin e infrastrukturës institucionale dhe mbështetjen e bizneseve në këtë tranzicion”.

“Të krijohet një fazë tranzicioni me standarde të qarta, që ofron stabilitet dhe parashikueshmëri për bizneset dhe që garanton barazi të trajtimit për të gjithë operatorët ekonomikë”.

“Të përfshihen institucionet ekonomike dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në hartimin e modelit të liberalizimit të tregut, në mënyrë që ky proces të jetë funksional, i drejtë dhe në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm”, janë tri prej kërkesave të LBK-së.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës thotë se nuk është kundër liberalizimit të tregut të energjisë – “përkundrazi, bizneset tona janë të gatshme të operojnë në kushte tregu të hapur dhe konkurrues, por kjo duhet të ndodhë vetëm kur ekzistojnë kushtet reale për funksionim të barabartë dhe të drejtë”.

Në të kundërtën, kjo shoqatë thotë se një zbatim i menjëhershëm dhe i pakonsultuar i këtij vendimi do të çojë në rritje të mbylljeve të ndërmarrjeve prodhuese, rritje të papunësisë, rritje të inflacionit përmes kostove të transferuara te qytetarët, dhe rënie të konkurrueshmërisë ekonomike të Kosovës në tregjet ndërkombëtare.

“Ky është një moment kritik për të ndërmarrë një vendim të përgjegjshëm, të matur dhe të bazuar në interesin kombëtar ekonomik. Ne apelojmë për dialog të hapur, bashkëpunim institucional dhe shtyrje të zbatimit të këtij vendimi, për të parandaluar pasojat e pariparueshme për ekonominë e vendit”, përfundoi reagimi i LBK-së.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA