Përgatiti: ATV
Në pyetjen e deputetes nga AAK-ja, Time Kadrijaj, nuk u përgjigj ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Deputetja pati pyetje edhe për kryeministrin i cili po ashtu refuzoi të përgjigjej.
“Udhëtimet e tua më të shpeshta kanë qenë në Greqi, por nuk kemi marrë ndonjë njohje?”, tha Kadrijaj.
“As unë nuk do të përgjigjem në pyetjet e juaja. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të votohen e më pas ne mund të përgjigjemi”, tha kryeministri Kurti.
Në seancën e së premtes të Kuvendit, në të cilën pyetjet e deputetëve ishin pika e vetme e rendit të ditës, kryeministri Albin Kurti, bashkë me kabinetin qeveritar, refuzuan t’iu përgjigjen opozitarëve, të cilët nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Vendimi i ekzekutivit nuk i pëlqeu opozitës.
Pas përfundimit të seancës, PDK-ja dhe LDK-ja i kanë quajtur sulm e shantazh qëndrimet e kabinetit qeveritar.
Megjithatë, pesë ministra të cilët ishin të pranishëm në seancë, megjithatë u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve të pushtetit.
Qysh nga fillimi i sesionit pranveror, deputetët e dy partive opozitare, PDK-ja e AAK-ja, kanë refuzuar t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat sipas qeverisë kanë vlerë 360 milionë euro.