Në mbledhjen e parë të Qeverisë Kurti 3, është marrë vendimi që të procedohet në Kuvend projektligji i buxhetit për vitin 2026, i cili vitin e kaluar nuk mundi të miratohej për shkak të afateve ligjore dhe ndryshimeve politike.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se projektligji parashikon një buxhet prej rreth 4 miliardë euro, ku 3.64 miliardë euro sigurohen nga të hyrat buxhetore, ndërsa pjesa tjetër financohet përmes huamarrjes dhe metodave të tjera përmes deficitit.
“Siç e sqaruam, ky projektligj ishte proceduar vitin e kaluar dhe për shkak të pamundësisë për t’u miratuar në Kuvend, po e riprocedojmë edhe një herë. Marrim parasysh ndryshimin e qeverisë dhe mund të ketë nevojë për rishikim, por është urgjente që të kemi buxhet të miratuar sa më shpejt për funksionimin e shtetit,” tha Murati.
Ministri gjithashtu propozoi që Kuvendi të marrë në konsideratë zgjatjen e afatit për muajin mars, për shkak të pagesave të pensioneve që duhet të realizohen këtë javë, duke shprehur shpresën se kjo kërkesë do të miratohet.
Projektligji është miratuar nga Qeveria dhe tashmë do të procedohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim final.






