Përgatiti: Armand Hoti
Pagat i morën dy ditë me vonesë, përkundër marrëveshjes së nëntorit, e cila bëri që minatorët e Stan Tërgut të tërhiqeshin nga greva dhjetëditëshe.
“Si pasojë e vonesës, te minatorët ka ndikuar negativisht dhe duke pasur parasysh edhe inflacionin dhe rritjen e çmimeve, kjo vonesë e pagave është e papranueshme dhe nuk duhet të ndodhë tutje”, tha Destan Kërleshi, sindikalist.
Sipas nënkryetarit të sindikalistëve të minierës më të madhe në Kosovë, udhëheqësia e ndërmarrjes ka shkelur marrëveshjen që ndali grevën.
Por, edhe pse vonë, “Trepça” përsëri nuk arriti t’i paguajë punëtorët e vet.
Kryeshefi i ri i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, tha se pagat e punëtorëve u siguruan me ndihmën Qeverisë përmes subvencionimit.
“Pagat janë ekzekutuar me përkrahje nga Qeveria përmes subvencionit, me vlerë prej një milion eurosh”, tha kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti.
Tash “Trepça”, sipas Kurtit, po përballet edhe me çmime të ulëta të metaleve në berzë.
Sipas tij, punëtorët e njësisë veriore të “Trepçës” duhet të presin akoma për t’i marrë pagat, meqë edhe rreth 400 mijë euro taksa të qytetarëve, nuk janë transferuar ende në xhirollogari të “Trepçës”.
Ministria e Ekonomisë kishte ndarë rreth dy milionë e 800 mijë euro në formë subvencioni për gjigantin metalurgjik, edhe gjatë muajit dhjetor.
Mjetet u shpenzuan për mbulimin e pagave të punëtorëve, energjisë elektrike, ujit si dhe obligimeve të tjera.
Ndërkaq, është bërë mbi një javë, që kur furnizimi me derivateve e eksploziv i minierës së “Trepçës” në Stan Tërg, është ndërprerë. Edhe flotacioni në Tunelin e Parë, nuk ka reagenca.