Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se ngritja e çmimeve të naftës në vend, po ndodh si pasojë se gjithë nafta në Kosovë importohet dhe në këtë mënyrë merret kostoja e inflacionit në import, raporton KosovaPress.
Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se çmimet e larta që janë jashtë vendit, bëhen edhe më të larta në vendin tonë shkak i inflacionit.
“E gjithë nafta që është në Kosovë importohet, ne jo vetëm që nuk kemi burime të naftës, por as rafineri të naftës. Ne as nuk përpunojmë naftë, përveçse nuk kemi naftë dhe në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import, çmimet e larta që janë jashtë, bëhen çmime edhe më të larta këtu brenda. MINT, ka vazhduar masat e ish ministres Hajdari dhe ajo është në komunikim me ekspertët”, tha Kurti.
Propozimet për heqjen e TVSH-së e të akcizës, sipas Kurtit nuk janë mirë të menduara dhe sipas tij, nuk po bazohen nga dija ekonomike.
“Këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen nga përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike. Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes të mos i shërbejmë super profitit të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve”, shtoi Kurti.
Kurti përmendi se së shpejti në mbledhje të Qeverisë do të jetë edhe projektligji për çmimet tavan për produktet bazë.
Ai shtoi se ky ligj duhet të përfundonte para tri viteve, por sipas tij Gjykata Kushtetuese mandatin e kaluar u shndërrua në zyre për ankesa nga opozita.
Si pasojë e kësaj, sipas tij nuk do të ishte kjo gjendje po të ishte ky ligj.
“Së shpejti në mbledhje të Qeverisë, meqenëse tash ka përfunduar puna me Gjykatën Kushtetuese do ta kemi edhe ligjin për tavanin e çmimeve për produktet bazë. Që tre vite duhej ta kishim, mirëpo ju e dini që Gjykata Kushtetuese në mandatin e kaluar u pat shndërruar në zyrë për ankesa dhe ankesat aty nga opozita ka qenë njëfarë aktivizimi juridik, vetëm na vonin, nuk do të ishim në këtë gjendje po ta kishim këtë ligj”, tha Kurti.
Sot, në vendin tonë po tregtohet një litër naftë nga 1.7 deri 1.8 euro. /kp/






