15.8 C
Pristina
E mërkurë, 3 Korrik, 2024

Qeveria paguan 27 mijë euro për kontratën e pranverës për pastrim të borës

Përgatiti: Arton Hamiti

26 mijë e 677 euro është totali i faturës që e ka paguar Ministria e Infrastrukturës, për mirëmbajtjen dimërore të Rrugëve Lokale, në katër komunat veriore të Kosovës.

Vlera totale e kontratës ishte 138 mijë euro, por ministria nuk kishte arritur ta nënshkruajë atë me kohë.

Ndonëse, pjesa kryesore kishte të bënte me pastrimin e borës, kontrata ishte nënshkruar kah fundi i dimrit, më 28 shkurt, ndërsa filloi zbatimin në mars.

Në faturën të cilën e ka siguruar televizioni, ani pse pati vetëm një herë reshje të vogla bore, për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja dimërore” figuron se janë paguar pak mbi 12 mijë euro.
Pjesa më e madhe prej 7800 euro është paguar për pozicionin “Koha e kujdestarisë”, e cila ishte ofertuar me 65 euro për 24 orë, për çka janë llogaritur 120 ditë.

Në dokument nuk është dhënë ndonjë sqarim se pse është paguar kujdestari për 120 ditë edhe pse deri në mes të prillit kishin kaluar më pak se 50 ditë nga zbatimi të kontratës.

Ministria kishte paguar edhe rreth 3500 euro për 50.350 kilogramë kripë, nga 7 cent për kilogram. Ndërkaq, 9 mijë e 350 u ekzekutuan për pozicionin “Punët në shtresën qarkulluese – Mirëmbajtja verore”.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pohoi se gjatë këtyre muajve nuk kishte shumë reshje të borës në katër komunat veriore. Megjithatë, ai tha se për këtë çështje duhet pyetur Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve.

AUDIO: HYSEN DURMISHI, ZV.MINISTËR I INFRASTRUKTURËS
“Po, po atje ka pasë shumë pak reshje prej kohës kur është nënshkruar kontrata, por nëse ju i keni dërgu pyetjet duhet Departamenti i Menaxhimit të Rrugëve me ju përgjigj”, tha Durmishi.

Ndërsa, Agron Beshiri, menaxher i kontratës nga Autoriteti Kontraktues, dërgoi raportin e punës në kuadër të kësaj kontrate. Ai tha se kontrata me kompaninë “Shkoza F007” ka filluar zbatimin në fillim të muajit mars.

“Meqenëse në muajin mars temperatura ka shënuar mbi 0°, aktivitetet e intervenimit ku përfshihen: pastrimi i borës, hedhjes së kripës dhe rërës, kanë qenë thuajse të panevojshme me përjashtim të datës 30 mars 2023. Vlera financiare për punët e kryera gjatë muajit mars ka qenë 26.677 euro. Përqindja e realizimit del të jetë 19,26%”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Infrastrukturës.

Beshiri, mes tjerash siguroi se, përveç kësaj pagese, nuk do të ekzekutohet asnjë tjetër.

Për të marrë përgjigje rreth zbatimit të kësaj kontrate, ATV-ja kishte kontaktuar dy herë edhe kompaninë “SHKOZA F007”, por personi përgjegjës e kishte bllokuar numrin, posa kuptoi që po thirrej nga një gazetar. Kompania nuk është përgjigjur as në rrjetet sociale.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA