PËRGATITI: ARTON HAMITI
Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të formojë ekip të ri menaxhues, për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas shkarkimit të atij paraprak, i cili në Bruksel prezantoi draftin që u refuzua nga kryeministri Albin Kurti, sipas ekzekutivit tashmë diskutimet zhvillohen ne nivel politik.
“Drafti i propozuar është i papranueshëm dhe shpreh vetëm dëshirat e Serbisë për të dëmtuar funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Në takim, Kryeministri Kurti propozoi vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes bazë. Tashmë diskutimi është i bartur vetëm në nivelin politik. Në vijim, pritet të zhvillohet dhe takimi në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar në tërësi rreth vijimësisë së implementimit të pikave të marrëveshjes për normalizim dhe aneksit të zbatimit.”
Teksa e përshëndeti shkarkimin e katër anëtareve të propozuar nga Serbia, kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk pret që palët të pajtohen me propozimet e njëra-tjetrës.
“Ajo çka është e mundshme për Kosovën dhe cilat janë vijat e kuqe për Kosovën, ato janë të papranueshme për Serbinë siç duket. Prandaj kaq larg dhe të papajtueshme janë pozicionet. Prandaj unë vërtet nuk pres diçka pa ndryshuar Serbia në drejtim të demokratizimit dhe shtetit atje. Sa është Serbia kështu hegjemoniste dhe brenda koordinatave le të themi kleronacionalizmit të kohës së Millosheviqit të viteve ‘90-ta, unë nuk pres zgjidhje në kuptimin e një marrëveshjeje me Serbinë.”
Pajtueshmëri mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket formimit të Asociacionit nuk pret as profesori universitar Milazim Krasniqi i cili kërkon themelimin e ekipit të ri menaxhues.
“Ai draft nuk duhet që të jetë bazë për diskutime dhe duhet që të formohet një komision tjetër i cili do të duhet që të formohet me njerëz që në fakt e pranojnë qeverinë e Kosovës. Sepse ky Komision, ekipi menaxhues nuk kanë pranuar që të komunikojnë as me telefon me ministrin Elbert Krasniqi, prandaj ka shumë punë në këtë aspekt”.
Derisa, Qeveria e Kosovës lirimin nga detyra të ekipit menaxhues e arsyetoi me përfundim të mandatit pas prezantimit të draftit, Bashkimi Evropian e vlerësoi në kundërshtim me frymën e dialogut.