3 miliardë e 600 milionë euro është buxheti për vitin 2025, i cili u miratua të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë. Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim, raporton Ekonomia Online.
Gjatë prezantimit të këtij buxheti nga ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se i njëjti është 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit paraprak dhe është “buxhet më gjithëpërfshirës”.
“Mund të them se në shumicën e ekonomive në botë njëra prej shqetësimeve është rritja e çmimeve, ne kemi arritur që ta stabilizojmë inflacionin. Tani që kemi uljen e normës së inflacionin mund të them që ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të rritjes ekonomike, e që për vitin e ardhshëm pritet që të jetë 5.6 ne terma real. Sektorët kryesor qe kanë pasur prioritete në buxhetim kanë qenë sektori i mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë, infrastrukturës e të tjera. Është një buxhet gjithëpërfshirës”, tha Murati.
Duke folur gjatë një mbledhjes së Qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale, ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore e 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë.
Për premtimet e partive opozitare, Kurti u shpreh se ato janë boshe, duke shtuar se “emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet të ngatërrohet”.
“Ndërkohë, për shkak se tashmë zgjedhjet po afrohen, po dëgjojmë edhe shumë premtime boshe opozitare sikundër vlerë e vendimeve të mira të Qeverisë. Mirëpo, për një gjë duhet të jemi të sigurt se emisionet humoristike dhe qeverisja e përgjegjshme nuk duhet ngatërruar”, ka thënë ai.