Qeveria del me njoftim për takimin me Escobarin, tregon se çfarë i tha Kurti emisarit, por s’tregon kërkesat e amerikanit!

Qeveria e Kosovës ka dalur me njoftim për takimin e djeshëm të Kurtit me Escobar. Në komunikatë tregohet se çfarë i tha Kurti emisarit amerikan, por ka asnjë detaj për kërkesat e Escobarit ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi z. Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.
Reklamë
Kryeministri tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.

Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi.
Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjësor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb.
Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë” thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri e falënderoi z. Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Reklamë











