PËRGATITI: ARMAND HOTI
Në janar, me nënshkrim të kryeministrit, Qeveria e Kosovës ia dha njësisë veriore “Trepçës” për shfrytëzim, këtë tokë në Leposaviq, për nevoja të flotacionit.
Mirëpo, mbrëmë ky vendim u anulua, meqë toka doli të mos jetë pronë e shtetit.
Parcela e cila thuhej se menaxhohej nga Agjencia Pyjore e Kosovës, ishte në pronësi private të një banori të komunitetit serb, për çka ATV-ja raportoi të hënën.
Edhe pse në tokë të huaj, njësia veriore e ndërmarrjes që udhëhiqet nga serbët, eksploatoi material argjilor që aty.
Madje, këtë e bëri jashtëligjshëm, pasi nuk u pajis me licencë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
KPMM-ja aktualisht është duke bërë hetime për përgatitjen e një raporti, të cilin do t’ia dorëzojëpolicisë.
Të hënën, nga Agjencia Pyjore e Kosovës thanë për ATV-në, se prona që menaxhohet nga APK-ja është fqinje me parcelën, e cila me vendim të Qeverisë iu dha “Trepçës” në janar.
Rasti për këtë pronë, sipas burimeve të ATV-së, po hetohet nga Policia e Kosovës./atvlive.tv/






