Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e subjektit politik “Kosovski Savez” kundër Listës Serbe për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.
Pas shqyrtimit të provave, PZAP konstatoi se Lista Serbe kishte vendosur materiale promovuese në hapësira publike pa lejen e autoriteteve, duke shkelur disa vendime të mëparshme të PZAP-it dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (08/L-228).
Si pasojë, Lista Serbe është gjobitur me 45,000 euro dhe detyrohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.
PZAP thekson se shkeljet përfshijnë vendosje të materialeve zgjedhore në stacione autobusi, rrugë, ndërtesa dhe hapësira publike në Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë dhe Leshak, duke mos respektuar urdhrat për largimin e tyre nga vendet publike.
Paneli ka vlerësuar se pretendimet e Listës Serbe për përdorimin e fotografive të vjetra nuk e liruan nga përgjegjësia.
Kundër këtij vendimi, sipas ligjit, është e mundur të paraqitet ankesa në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve nga marrja e vendimit.






