Punëtorët e Telekomit, ende nuk i kanë marrë pagat e marsit

Përgatiti: Armand Hoti

Punëtorët e “Telekomit” të Kosovës, ende nuk i kanë marrë pagat e marsit.

“Ma e keqja është, sepse në kohën e fundit kanë filluar bankat pasi nuk kemi mundur t’i paguajmë kreditë, t’i thërrasin dhe t’ua ndalin kreditë bashkëhuamarrësve”, tha kryetari i sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.

1800 punëtorë mbetën pa rroga për shkak se përmbaruesi privat tashmë i suspenduar, bllokoi llogaritë e kompanisë ku ata punojnë.

Përmbaruesi, Irfan Kërçagu, filloi zbatimin e përmbarimit, pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, që detyron ndërmarrjen t’ia paguante “Dardafonit”, 5,7 milionë euro.

Tash “Telekomi” nuk po arrin t’i shlyejë detyrimet ndaj kontraktorëve.

“Telekomi i ka diku 540 antena në prona private, që i ka me qira. Tash që nuk kemi mundur t’ua paguajmë qiranë shumica prej pronarëve kanë filluar të thërrasin dhe të interesohen pse s’ka dhe bëjnë kërcënime të ndryshme që mund t’i dëmtojnë edhe antenat”, tha drejtori financiar në “Telekom”, Feim Kelmendi.

“Telekomi” insiston në shkarkimin e përmbaruesit, suspendimin e të cilit e bëri Ministria e Drejtësisë, në mars, ndonëse vetë ia kishte deleguar këtë kontest.
Për këtë, menaxhmenti i ndërmarrjes inicioi edhe një komision disiplinor të përbërë nga ekspertë juridikë e përmbarues.

Ky komision, mblodhi të hënën për herë të parë në Ministrinë e Drejtësisë, përfaqësuesit e “Telekomit” dhe përmbaruesin privat Irfan Kërçagu me avokatin e tij mbrojtës.

Kërkesën për shkarkim, menaxhmenti i ndërmarrjes e bazon në disa pika. Pretendimet e “Telekomit” u mohuan në plotësisht, nga pala tjetër.

Përfaqësuesit e ndërmarrjes publike i bënë kërkesë komisionit disiplinor, që mjetet e bllokuara mbi shumën prej 5,7 milionë të lirohen.

“Sepse mjetet që janë nëpër banka tejkalojnë shumën të cilat pretendon të inkasohen nga përmbaruesi, ndërsa për çështje procedurale, llogaritë bankare të “Telekomit” kanë mbetur të bllokuara edhe pse ka mjete më tepër sesa edhe vetë vendimi që është në fuqi”, tha Kelmendi.

Shkalla e dytë e Komerciales, tashmë ka caktuar tre ekspertë, të cilët do të bëjnë ekspertizën financiare, për pagesat që ndërmarrja ka kryer në emër të vendimit të arbitrazhit të vitit 2016.

Zyrtarë të “Telekomit” thanë se në këtë ekspertizë, nuk do të llogariten mbi 10 milionë euro, që “Dardafoni” mori nga ndërmarrja përmes mundësimit të shfrytëzimit të numrave dhe shërbimeve 3 dhe 4G, në formë kompensimi.

Nga “Telekomi” pretendojnë se vendimi i Arbitrazhit detyronte ndërmarrjen publike t’i paguante “Dardafon-it” 27 milionë euro, kurse ndërmarrja kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit, në shumën prej rreth 40 milionë eurosh.

Përmbaruesi privat deri më tani ka arritur të tërheqë 2.1 milionë euro nga xhirollogaritë e ndërmarrjes.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA