15.1 C
Pristina
Monday, March 16, 2026

Punëtorët e “Prishtina Parking” paralajmërojnë grevë duke protestuar për kushtet e punës

Punëtorët e “Prishtina Parking” kanë protestuar për të kërkuar pagën e tyre, shujtën si dhe pjesën e pagës që ende nuk është ekzekutuar, raporton Ekonomia Online.

E në rast se sërish do të hasin në shpërfillje nga menaxhmenti, ata paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë, ndërsa theksojnë se pavarësisht protestës së parë, askush nuk është marrë me ta.

Kryetari i Sindikatës, Flamur Hajdari tha se këto kërkesa të tyre po bëhen tash e më shumë se tre vjet.

“Ne jemi mbledhur në protestën e dytë. Kërkesat të cilat i kemi parashtruar te ndërmarrja jonë “Prishtina Parking” ende nuk janë plotësuar. Po presim për plotësimin e kërkesave tona që i kemi paraqitur. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë dialog apo ftesë për takim nga menaxhmenti. Kërkesat tona janë ato që i kemi parashtruar më herët: pagesa e shujtës, përmbushja e obligimeve ndaj sindikatës, si dhe pagesa e një gjysmë page që na ka mbetur pa u ekzekutuar. Ne presim që ndërmarrja të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Në të kundërtën, do të vazhdojmë me protesta dhe, nëse nuk arrihet ndonjë zgjidhje, do të fillojmë edhe me grevë. Tash e tri vite jemi duke i bërë këto kërkesa, por deri më sot nuk kemi arritur të realizojmë asgjë. Përgjigjja që kemi marrë nga ndërmarrja është se si institucion ndodhet në krizë financiare. Por edhe ne jemi në krizë. Me një pagë prej rreth 500 eurosh, për momentin jemi në gjendje shumë të vështirë ekonomike”, ka thënë ai.

Anëtari i Kryesisë së Sindikatës, Safet Zuka ka treguar se nga ndërmarrja është thënë se po përballen me krizë dhe me borxhet.

“Këtu ka probleme edhe me sigurimin shëndetësor, i cili nuk është paguar për 7–8 muaj. Anëtarëve të sindikatës dhe kolegëve të punës u ndalen mjetet për sigurim shëndetësor, ndërsa familjarët e tyre supozohet të jenë të mbuluar me këtë sigurim. Megjithatë, edhe pse mjetet ndalen nga paga, sigurimi nuk paguhet. E njëjta gjë ka ndodhur për rreth 8–9 muaj edhe me sindikatën tonë. Mjetet janë ndalur nga menaxhmenti, por nuk janë ekzekutuar në llogarinë e sindikatës. Këto janë çështje shumë shqetësuese. Ne kemi kërkuar edhe rritje të pagave, pasi kjo është një nevojë e domosdoshme. Negociatat që kemi pasur me menaxhmentin kanë treguar se ndërmarrja ka borxhe dhe është në krizë financiare. Megjithatë, këto janë pasoja të një keqmenaxhimi që po e pësojmë ne si punëtorë. Menaxhmenti vazhdimisht thekson se ndërmarrja nuk ka të hyra dhe nuk ka mjete as për rritje pagash, as për pagesën e sigurimit shëndetësor dhe as për obligimet ndaj sindikatës”, tha ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA