Përgatiti: Teuta Arifaj
Nga viti 2012 deri në vitin 2024, në burgjet e Kosovës janë dënuar për pjesëmarrje në grupe terroriste të paktën 168 persona, ndërsa 28 të tjerë (të gjitha gra) janë dënuar me kusht. Të dhënat e mbledhura gjatë një hulumtimi tregojnë se nga kjo kategori qytetarësh, vetëm 57 janë të punësuar, ndërsa të tjerët nuk kanë arritur të gjejnë punë dhe të integrohen në tregun e punës.
Nga viti 2012 deri në vitin 2025, në Kosovë janë burgosur mbi 150 persona të akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste. Për rehabilitimin e këtyre të dënuarve pas vuajtjes së dënimit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë ndërtuar programe specifike.
“Nga viti 2019 e deri më tani, Divizioni për Parandalim dhe Riintegrim të Personave të Radikalizuar, përmes programit R&R, ka zhvilluar programe individuale për fëmijë, gra dhe burra për parandalim dhe riintegrim. Numri i përgjithshëm i personave që janë pjesë e programit është mbi 500, nga të cilët 163 individë janë subjekt i drejtpërdrejtë i programit,” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në këto programe jo gjithmonë përfshihen edhe familjet e të rikthyerve, ka konfirmuar MPB-ja.
“Jo gjithmonë, kjo varet edhe nga faktorë të tjerë (bëhet një vlerësim paraprak për çdo individ në familje), duke u bazuar në cenueshmëri, rrezikshmëri dhe vullnet për të qenë pjesë e programit.”
Megjithatë, pavarësisht se mbi 500 persona janë pjesë e programeve, integrimi në tregun e punës vazhdon të jetë një sfidë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i të punësuarve, përfshirë edhe të vetëpunësuarit, është vetëm 57.
Ndërkaq, nga Shërbimi Sprovues i Kosovës thonë se rreth 15 persona të dënuar për pjesëmarrje në konflikte në zona të huaja janë punësuar më pas.
“Prej të dënuarve për pjesëmarrje në konflikte në zona të huaja, të cilët kanë qenë në mbikëqyrje në të kaluarën, një pjesë e tyre janë punësuar ose kanë vazhduar punën. Në bazë të informatave të mbledhura gjatë procesit të mbikëqyrjes, rreth 15 individë janë angazhuar në punë të ndryshme.”
Këta persona janë punësuar kryesisht në biznese private ose familjare.
“Kryesisht, ata janë angazhuar në biznese private, shumica prej të cilave janë biznese familjare ose të lidhura me familjarët e tyre. Këto biznese përfshijnë autolarje, ndërtim, pastrim dhe aktivitete të ngjashme,” sqarohet më tej në përgjigjen e Shërbimit Sprovues të Kosovës.
Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë lavdëron punën e institucioneve, megjithëse thotë se mungojnë të dhëna të mjaftueshme lidhur me riintegrimin ekonomik të personave që kanë marrë pjesë në konflikte në zona të huaja.
“Ky grup personash është mbajtur jashtëzakonisht sekret nga ana e institucioneve, për të mos i ekspozuar në publik dhe për të shmangur perceptimin e tyre si të rrezikshëm. Kjo do të përbënte një problem shtesë për riintegrimin. Shpeshherë, qytetarët do të ishin të shqetësuar dhe askush nuk do të donte të punësonte një person me një prapavijë të tillë.
Kështu që, jo domosdo këto informacione janë të qasshme për publikun. Megjithatë, mendoj se institucionet kanë bërë përpjekje dhe një punë të mirë, sidomos në aspektin e sigurisë,” thekson Vrajolli.
Ndërsa, sipas Rebeka Qenës nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF), ndonëse të rikthyerve u ofrohen disa forma mbështetjeje si ndihmë sociale apo strehim i përkohshëm, mungesa e përfshirjes në tregun e punës e vështirëson dukshëm integrimin në komunitet.
“Të rikthyerit përballen me sfida të shumta në procesin e integrimit, përkundër ndihmës që ofron shteti në formë të asistencës sociale, strehimit të përkohshëm dhe qasjes në shërbime shëndetësore dhe arsimore. Mungesa e punësimit i pengon ata të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme dhe aktive, duke ndikuar në vetëbesim, autonomi dhe aftësinë për të qenë pjesë funksionale e komunitetit,” thotë ajo.
Qena thekson se papunësia ndikon edhe në përfshirjen shoqërore të të rikthyerve dhe i shtyn ata drejt izolimit. Kjo është veçanërisht evidente te gratë e rikthyera, të cilat përballen me barriera të shumëfishta për shkak të rolit gjinor dhe përgjegjësive familjare.
“Mungesa e punësimit nuk ndikon vetëm në aspektin ekonomik, por e zbeh ndjeshëm edhe përfshirjen qytetare dhe sociale të të rikthyerve. Për gratë e rikthyera, kjo është veçanërisht e theksuar – përballen me pengesa praktike dhe sociale. Për nënat, veçanërisht, është shumë e vështirë të punësohen kur mungon mbështetja për kujdesin ndaj fëmijëve,” shton ajo.
Sipas Qenës, një pjesë e punëdhënësve ende i shohin me dyshim personat e rikthyer, edhe pse këto paragjykime nuk mbështeten në fakte.
“Një pjesë e punëdhënësve vazhdojnë të jenë të rezervuar ndaj punësimit të personave të rikthyer nga zonat e konfliktit, për shkak të paragjykimeve lidhur me të kaluarën e tyre, edhe kur nuk ka arsye reale për këtë hezitim.”
Sfidat që përjetojnë të rikthyerit në përpjekjet për t’u reintegruar në jetën ekonomike janë të ndërlikuara, të shumta dhe shpesh të padukshme në statistikat zyrtare.
Sipas Afërdita Sylës, drejtoreshë ekzekutive e Community Building Mitrovica (CBM), procesi i riintegrimit nuk është vetëm çështje strehimi apo ndihme financiare – ai kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që merr parasysh edhe traumën, përjashtimin dhe stigmën sociale.
“Riintegrimi ekonomik i të rikthyerve, veçanërisht i grave, është një proces shumë i ndërlikuar që kërkon përkushtim dhe ndjeshmëri ndaj historive të tyre personale. Gratë e rikthyera përballen me stigmatizim të vazhdueshëm dhe mungesë të qasjes në mundësi të qëndrueshme punësimi.”
Syla shton se sfidat për gratë fillojnë që në momentin kur përpiqen të jenë aktive në shoqëri. Pengesat nuk janë vetëm strukturore, por shpesh burojnë edhe nga qëndrimet e komunitetit.
“Ato përballen me mungesë përkrahjeje institucionale dhe mirëkuptimi në nivel komuniteti. Stigma, mungesa e përkrahjes sociale dhe e të ardhurave i shtyn të qëndrojnë të mbyllura, pa akses në informata dhe pa ndjesinë se janë të mirëseardhura.”
Sipas saj, pjesëmarrja e grave në trajnime dhe kurse zhvillimi nuk përbën domosdoshmërisht tregues suksesi.
“Edhe kur arrijnë të ndjekin trajnime profesionale, rrallëherë kjo përkthehet në punësim konkret. Puna e përhershme, me kushte të pranueshme dhe trajtim dinjitoz, mbetet ende jashtë mundësive për shumicën e tyre. Kjo i demotivon dhe i largon nga besimi se integrimi është i mundur.”
Syla përfundon se pa angazhim të vazhdueshëm institucional dhe trajtim të barabartë në tregun e punës, riintegrimi i të rikthyerve, veçanërisht grave, rrezikon të mbetet vetëm në letër.
Sidoqoftë, për trajtimin e kësaj kategorie, Kosova ka përpiluar dy dokumente: Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë Kosovës dhe Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit.
“Këshillimi psikologjik dhe fetar për të burgosurit në lidhje me aktivitetet e paligjshme të lidhura me ekstremizmin,” “mbështetja sociale për familjet e tyre” dhe “zhvillimi i programeve të reja të punësimit ose metodave të tjera të riintegrimit të individëve të deradikalizuar në shoqëri” janë tri nga masat që theksohen në Strategji.