“Puna e përbashkët parandalon dhunën ndaj grave”

Përgatiti: Driton Sadiku

Dhuna ndaj grave ishte diskutimi kryesor në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës dhe qendra AIRE, me temën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu Gjyqësor për një Përgjigje Gjyqësore Efektive”.

Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, si dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Fjalën hyrëse e mori kryetarja e Gjykatës Kushtetuese që ndër të tjera tha se institucioni që drejton, në raste të ndryshme ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë.

“Inicialet e grave të vrara nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare, që i janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve, të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e të shoqërisë”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi nevojën e bashkëpunimit mes të gjitha hallkave shtetërore, në mënyrë që dhuna ta parandalohet.

“Duhet të bëjmë çmos që secila viktimë, apo secila vajzë e grua që potencialisht mund të jetë e dhunuar në të ardhmen, ta dijë që e ka mbështetjen e plotë institucionale, por edhe shoqërore dhe jo e kundërta, sepse kjo edhe ndihmon në raportim të dhunës dhe jo heshtje, por edhe në parandalim të këtyre rasteve, gjithnjë nëse vendimet ndaj dhunuesve janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pra nëse ato janë meritore”, tha Haxhiu.

Teksa tha se dhuna në bazë gjinore duhet të luftohet nga të gjithë, drejtoresha e qendrës AIRE kërkoi angazhim edhe në luftimin e femicidit.

“Hulumtimet që janë kryer demonstrojnë se anembanë rajonit secili rast i femicidit ka mundur të parandalohet. Thirrjet e tyre për ndihmë që janë shpërfillur, askush nuk ia ka vënë veshin. Dhuna në bazë gjinore, asnjëherë nuk është private, është barrë që duhet ta bartim të gjithë. Kjo ngjarje paraqet një hap të rëndësishëm”, tha Biljana Braithwaite, drejtore e qendrës “Aire”.

Sipas raportit, Femicidi në Republikën e Kosovës, në periudhën 2018 – 2022 janë kryer njëzet vrasje të grave dhe katër tentativa dhe gati në të gjitha rastet viktimat u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA