Rrena nuk është thjesht një sjellje sociale, por pasqyrë e kompleksitetit të natyrës njerëzore. Studimet tregojnë se arsyet pas rrenës janë të larmishme dhe shpesh komplekse, duke përfshirë faktorë psikologjikë e kulturorë.
Në një hulumtim nga McArthur bashkë me disa autorë të tjerë (publikuar nga “Psychology Today”), renditen motivet më të zakonshme që i shtyejnë njerëzit të rrejnë: 1.Për të shmangur gjykimin nga të tjerët ose ndjenjën e turpit; 2. Me qëllim që të shmangin ndëshkimin; 3. Për të mbrojtur veten nga hakmarrja; 4. Pa asnjë arsye (p.sh., gënjeshtër kompulsive); 5. Për ta paraqitur veten në një mënyrë pozitive dhe për t’i bërë përshtypje të tjerëve; 6. Për të marrë shpërblime; 7. Për shkak të pakujdesisë dhe impulsivitetit; 8. Për të përjetuar kënaqësi nga mashtrimi i të tjerëve; 9. Me qëllim që të mbajë sekret informacionin personal; 10. Për arsye prosociale – për t’i bërë të tjerët (dhe veten) të lumtur, siç është t’u thuash fëmijëve se Babagjyshi i Vitit të Ri është i vërtetë (ekziston); 11. Për arsye altruiste – për të mbrojtur të tjerët nga dëmi.
Për sa i takon gënjeshtrës kompulsive (kur njerëzit rrejnë gjithmonë DHE pa asnjë arsye), në një artikull tjetër nga “Psychology Today” specifikohen dy lloje rrenash ato “normale” dhe patologjike.
“…Shumica e njerëzve gënjejnë herë pas here, qoftë për të shmangur sikletin, për të mbrojtur ndjenjat e dikujt, apo për t’u dukur mirë. Gënjeshtarët patologjikë, nga ana tjetër, gënjejnë rregullisht, shpesh pa ndonjë arsye të dukshme…”, thuhet në artikull, duke u përmendur se rrena patologjike renditet si një simptomë ose karakteristikë e gjendjeve të tjera psikiatrike, të tilla si çrregullimet e personalitetit (si çrregullimi narcisist i personalitetit, çrregullimi kufitar i personalitetit, çrregullimi antisocial i personalitetit) dhe çrregullimi artificial.
A ka trajtim për rrenën (patologjike)?Trajtimi konsiderohet një sfidë sepse shpesh është i ndërthurur me probleme të tjera të shëndetit mendor… Megjithatë, përmenden disa terapi si: terapia konjitive, terapia dialektike e sjelljes, gjithashtu thuhet se edhe ndërhyrjet farmakologjike mund të merren në konsideratë.
Si shihet rrena në aspektin filozofik dhe fetar?
Rrena ka qenë gjithmonë një temë qendrore në filozofi dhe në fe…
Filozofët e kanë parë rrenën nga kënde të ndryshme… për disa ajo është mëkat dhe shkatërrim moral; për të tjerë është mjet i domosdoshëm për jetën shoqërore, madje edhe shprehje e krijimtarisë njerëzore.
Platoni, në veprën “Republika”, pranon se gënjeshtra është diçka e keqe, sepse dëmton shpirtin dhe prish marrëdhënien e njeriut me të vërtetën. Megjithatë, ai mendon se në disa raste, si për shembull kur udhëheqësit e shtetit duhet të mbrojnë qytetarët apo të ruajnë rendin shoqëror, gënjeshtra mund të jetë e lejueshme.
Ndërsa, për Kantin (filozofin e një periudhe krejtësisht tjetër nga Platoni), rrena është e papranueshme në çdo rrethanë. Kant thoshte se edhe gënjeshtra “e bardhë” (për të ndihmuar dikë) është e gabuar, sepse shkel parimin moral themelor të së vërtetës.
Një qasje interesante e kishte edhe filozofi Niçe. Ai argumenton se njerëzit nuk jetojnë dot pa gënjeshtra, sepse jeta kërkon iluzione, interpretime dhe mashtrime të dobishme. Për të, rrena nuk është domosdoshmërisht e keqe – mund të jetë një formë e krijimtarisë ose e forcës së jetës.
Gjithashtu, rrena është një nga çështjet më të trajtuara edhe në mësimet fetare. Pothuajse të gjitha fetë e mëdha e dënojnë rrenën si mëkat moral dhe shkelje të besimit ndaj Zotit e ndaj njeriut. Megjithatë, disa tradita fetare njohin raste të veçanta ku gënjeshtra mund të jetë e lejueshme, kur ajo bëhet për të mbrojtur jetën, paqen apo drejtësinë.
Në Krishterim, gënjeshtra konsiderohet mëkat, sepse bie ndesh me vetë natyrën e Zotit, i cili përshkruhet në Bibël si “e vërteta”!
Në Islam, gënjeshtra është e ndaluar (haram) dhe konsiderohet një nga mëkatet më të mëdha morale.