Shumë njerëz nuk i kushtojnë rëndësi pozicionit të trupit gjatë gjumit, por mjekët po paralajmërojnë se një mënyrë e gabuar e të fjeturit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.
Sipas një studimi të Benden Health, shumica e njerëzve flenë në anën e djathtë, por ekspertët këshillojnë që pozicioni më i mirë është të flesh në anën e majtë, pasi ndihmon në qarkullimin e gjakut, tretje më të mirë dhe lehtësim të presionit mbi organet e brendshme.
Ndërkohë, doktoresha Cheryl Lythgoe paralajmëron se të fjeturit përmbys është ndër pozicionet më të dëmshme për trupin. Sipas saj, ky pozicion mund të shkaktojë dëmtime të shtyllës kurrizore, nyjeve dhe nervave, duke çuar në dhimbje kronike të qafës dhe shpinës.
Ajo shton se gjumi përmbys gjithashtu vështirëson frymëmarrjen, pasi pesha e trupit ushtron presion mbi mushkëritë dhe organet e tjera.
“Pozicionet e gjumit që ushtrojnë presion të tepërt mbi shpinën, si për shembull shtrirja përmbys ose përkulja në formë të fetusit, mund të shkaktojnë dhimbje kronike dhe çrregullime të gjumit”, ka deklaruar Lythgoe.
Ekspertët rekomandojnë që personat që vuajnë nga dhimbjet e shpinës të flenë në shpinë ose në anën e majtë, duke vendosur një jastëk nën gjunjë, për të ruajtur pozicionin natyral të shtyllës kurrizore dhe për të parandaluar tensionin e tepërt në trup.







