Në marrëdhëniet njerëzore ekziston një paradoks i çuditshëm: shpesh i lëndojmë pikërisht ata që i duam më shumë. Tensionet, pritshmëritë e larta dhe ndjenjat e forta krijojnë një terren ku fjalët apo veprimet tona mund të shndërrohen në plagë.
Pse ndodh kjo?
Në një prononcim për portalin e ATV-së, psikologia klinike Lirije Haziraj tha se shpesh i lëndojmë ata që i duam jo sepse nuk i duam, por sepse pranë tyre jemi të lirë të shfaqim anët tona më të brishta.
“…Afërsia sjell siguri, por edhe rrezikun që plagët tona të brendshme të shfaqen aty ku kemi më shumë besim…”, u shpreh Haziraj për ATV-në.
Sipas “Psychology Today”, ekziston një term “iluzioni i fokusit” shpikur nga Daniel Kahneman, që pohon se njerëzit kanë tendencë të përqendrohen në një aspekt të jetës së tyre, duke injoruar aspektet e tjera. Fokusi mendor amplifikon dhe zmadhon; çdo gjë në të cilën përqendrohemi bëhet më e rëndësishme se ajo në të cilën nuk përqendrohemi. Iluzioni i fokusit i bën partnerët të gjykojnë sjelljen e njëri-tjetrit vetëm nga mënyra se si i bën të ndihen.
Ndërsa, për sa i takon çështjes se në cilat raporte haset më shumë kjo dukuri, Haziraj përmendi të gjitha marrëdhëniet, por duke e vënë theksin më tepër te raportet familjare.
“…Kjo dukuri mund të shfaqet në çdo raport – në çift, në familje, në shoqëri e madje edhe në marrëdhëniet profesionale. Por më e shprehur është në raportet familjare, sepse aty përfshihemi më shumë emocionalisht, kemi pritshmëri dhe varësi emocionale…”, theksoi ajo.
Si zgjidhet kjo?
Zgjidhja e çështjes kur lëndojmë më shumë ata që i duam qëndron në vetëdijesimin emocional, komunikimin e hapur dhe ndërtimin e mekanizmave të shëndetshëm për të shprehur ndjenjat pa shkaktuar dëm.
Sipas “American Psychological Association” (APA), njerëzit e zemëruar kanë tendencë të kërkojnë gjëra: drejtësi, vlerësim, marrëveshje, gatishmëri për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së tyre, dhe kur kërkesat e tyre nuk plotësohen, zhgënjimi bëhet i madh.
Një prej strategjive praktike për ta pasur zemërimin nën kontroll është ta ndryshoni mënyrën se si mendoni: “Në vend që t’i thuash vetes: ‘oh, është e tmerrshme, është e tmerrshme, gjithçka është shkatërruar’, thuaj vetes: ‘Është frustruese dhe është e kuptueshme që jam i mërzitur për këtë, por zemërimi nuk e rregullon këtë gjë’”…
Sipas APA, si pjesë e ristrukturimit të tyre njohës, njerëzit e zemëruar duhet të bëhen të vetëdijshëm për natyrën e tyre kërkuese dhe t’i përkthejnë pritjet e tyre në dëshira. Me fjalë të tjera, të thuash “Do të doja” diçka është më e shëndetshme sesa të thuash “Kërkoj” ose “Duhet të kem” diçka.
Në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështje, e pyetëm edhe psikologen Haziraj dhe ajo theksoi me bollëk rastet kur njerëzit shkojnë në terapi, pasi e kuptojnë se pavarësisht dashurisë së thellë kanë sjellje që i lëndojnë ata që i duan: “Në punën terapeutike, ne përqendrohemi në gjetjen e burimit dhe për vetëdijesimin e sjelljeve dhe të reagimit, pra mundohemi ta gjejmë se a është plagë emocionale si pasojë e një stresi të akumuluar, modele të mësuara që e kanë burimin te familja, etj, më pas mësohet edhe krijimi i mënyrave për të reaguar më butë e më arsyeshëm ndaj zhgënjimeve dhe nevojave”, tha ajo.
Vlen ta potencojmë se sipas këndvështrimit të Steven Stosny i cili trajton njerëzit për zemërimin dhe problemet në marrëdhënie, ne jemi hipersensitivë ndaj reagimeve të partnerit, por jo ndaj asaj që po reagon ai. Kjo na bën të ndihemi si viktima të pafuqishme, gjë që justifikon përshkallëzimin e zemërimit.