Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës përsëri kanë protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.
Kërkesa e tyre ishte e njëjta, rritja e pagave.
Në rast se nuk arrihet një marrëveshje sa i përket kërkesës së tyre, ata kanë paralajmëruar grevë.
“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë, përveç se të mbulojmë pagën bazë të inflacionit… po na detyrojnë për grevë”, tha kryetari i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.
Veç rritjes së pagave, në këtë protestë u kërkua dorëheqje e menjëhershme e menaxhmentit të KEK-ut.
“Po të kisha qenë si ta, kisha dhënë dorëheqje menjëherë, mos t’u dalin zot punëtorëve”, tha nënkryetari i sindikatës së KEK-ut, Selatin Sadiku.
Në mbështetje të punëtorëve të KEK-ut, kishin dalë edhe përfaqësues të sindikatave të tjera në vend.
“Në këtë shi pe dini kush na ka detyruar të dalim këtu sot…”, tha kryetari i Sindikatës së Sigurimit Fizik, Avni Mziu.
“Marre, gjithë ky inflacion, ndërkohë që pagat e punëtorëve të KEK-ut nuk u rriten nga viti 2018…”, the kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi.
Protesta e radhës nga punëtorët e KEK-ut është paralajmëruar për të mërkurën.






