Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbajtën një konferencë për media të martën, ku prezantuan detajet për protestën e nesërme, e cila do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Gazmend Syla, përfaqësues i këtyre organizatave, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për protestën, duke përfshirë kërkesën për leje nga Komuna e Prishtinës, njoftimin e Policisë së Kosovës dhe angazhimin e ambulancës për çdo nevojë.
Ai gjithashtu theksoi se protestuesve do t’u ofrohet mundësia të vijnë me autobusë. Si folës për këtë protestë do të jenë profesoresha universitare Nevenka, organizatori Hysni Gucati, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe një djalë dëshmori.
Syla bëri thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, duke theksuar se protesta ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fortë edhe te bashkësia ndërkombëtare, duke treguar mbështetje për bashkëluftëtarët dhe duke u angazhuar për drejtësinë për ta.
“Ne do të dërgojmë një mesazh të qartë për bashkësinë ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë nuk janë vetëm. Do të jemi të gatshëm t’iu dalim në mbështetje sa herë të jetë nevoja”, tha ai.
Më tej, Syla theksoi se OVL-UÇK ka zhvilluar një fushatë diplomatike duke shkruar institucioneve ndërkombëtare dhe figurave të njohura botërore, dhe tani ka filluar protestat.
Ai shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin bashkëluftëtarët deri në ditën e gjykimit dhe më pas, duke paralajmëruar mundësinë e protestave të tjera.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Syla ishte pranimi i dokumenteve nga institucionet serbe si prova në Gjykatën Speciale. Ai e konsideroi këtë një veprim të papranueshëm dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare.
“Kategoritë e dala nga lufta e ka marrë me shqetësim të madh që ka ndodh në Gjykatën Speciale, bëhet fjalë për tri organe shtetërore të Serbisë të cilat me veprimtarinë e tyre kriminale kanë kryer krime edhe gjenocid mbi popullin tonë. Prandaj për ne është e papranueshme që sot bashkësia ndërkombëtare në këtë rast Gjykata Speciale i ka pranuar këto prova, sepse ata në një formë po i legjitimojnë këto tri institucione duke pasur parasysh faktin që tre krerët e këtyre tre institucioneve janë gjykuar dhe janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Për ne është e papranueshme dhe kjo është edhe një motiv shtesë për me dalë në protestë por edhe në protestat tjera që do kemi pas kësaj, për të kërkuar nga faktori ndërkombëtar të mos lejojnë një gjë të tillë pasi aty po synohet të rishkruhet historia jonë, po cenohet të rishkruhet historia e shtetndërtimit tonë që e kemi ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj kjo i lëkund themelet e shtetit tonë. Jemi duke pritur nëse do ketë reagim ndërkombëtar, nëse jo ne do të vazhdojmë prapë me protesta”, përfundoi Syla.