Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka promovuar botimin “ Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, të autorit Arsim Bajrami.
Studimi ka për qëllim të dokumentojë gjenocidin e bërë nga forcat serbe, e po ashtu të tregojë të vërtetën e luftës në Kosovë.
Profesoresha e drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, Gjyljeta Mushkolaj tha se qëllimi madhor i librit është që brezi ynë dhe brezat që vinë do të kenë përgjegjësi për të përcjellë kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
“Qëllim madhor i librit është që brezi ynë dhe brezat që vinë do të kenë përgjegjësinë për të përcjellë kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit të Serbisë në Kosovë që në mënyrë të përsëritur e ka përcjellë popullin tonë sidomos gjatë luftës së fundit duke e mbajtur shtetin serb ndërkombëtarisht përgjegjës për gjenocid për krimin mbi krimet. Libri ka arritur që të dëshmoi dhe dokumentoi se gjenocidi i fundit i Serbisë në Kosovë nuk ndodhi pa paralajmërim, ky është edhe thelbi i dokumentimit të krimit të gjenocidit, e që e dallon atë nga krimet tjera kundër njerëzimit…Sot detyra jonë është që të qojmë deri në fund ndërmarrjen e madhe për ta mbajtur shtetin e Serbisë përgjegjës ndërkombëtarisht për gjenocid dhe të sigurohemi vetëm kështu që kurrë mos të përsëritet e kaluara”, tha Mushkolaj.
Recensenti, Jusuf Bajraktari tha se libri “Gjenocidi i Serbisë ne Kosovë-aspekte juridike” paraqet një studim profesional dhe shkencor, në të cilin autori trajton në aspektin juridik Gjenocidin e Serbisë në Kosovë, duke u fokusuar në analizën e krimeve të kryera në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, dhe duke i kualifikuar këto krime si akte të gjenocidit në pajtim me Konventën e OKB-se, të vitit 1948 për ndalimin dhe dënimin e Krimeve të Gjenocidit.
Bajraktari ka renditur edhe tre qëllimet kryesore të librit.
“Studimi sipas autorit ka tre qëllime kryesore. Të argumentojë ligjërisht se krimet serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 plotësojnë 5 kriteret e Konventës së Asamblesë se Përgjithshme të OKB-se për krimet e gjenocidit, të paraqesë argumente me fakte se Gjenocidi serb ne Kosove ka qene një ndërmarrje organizuar, planifikuar dhe implementuar nga shteti serb përmes forcave ushtarake e policore, organeve shtetërore dhe udhëheqësve zyrtare shtetërorë e ushtarak, po ashtu studimi synon të tregojë të vërtetën e luftës në Kosovë, duke provuar juridikisht ekzistencën e gjenocidit serb në Kosovë, me qëllim të parandalimit të tendencave ndërkombëtare për mohimin dhe relativizmin e krimeve të gjenocidit”, tha Bajrakatri.
Mes tjerash, Bajraktari ka përmendur edhe fazat kryesore të këtij studimi. Ai tha se faza e parë përfshin, konceptimi ideor i strategjive të shtetit serb për gjenocid ndaj shqiptareve, ku përfshihen programet kryesore nga shekulli XVIII e deri me sot, faza e dyte, legjislacioni diskriminues me te cilin u shkatërrua autonomia e Kosovës dhe faza e trete implementimi faktik i gjenocidit gjate luftës ne vitet 1998-1999.
Profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu tha se ky libër është me rëndësi të veçantë në aspektin juridik penal, historik e kushtetues.
“Botimi është 620 faqe, është me rëndësi të veçantë në aspektin juridik penal, historik kushtetues dhe në aspektin thjeshtë kombëtar… Është me rëndësi studimi, veçmas për shkak se në këtë botim të rinjtë e tanishëm e ata të ardhshmit, në këtë studim do të njoftohen se çfarë sakrifice janë bërë përditë, për të arritur çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Pa lirinë e një kombi, jo vetëm që nuk ka jetë normale, por është e rrezikuar tërë kombi”, theksoi Salihu.
Në fund, autori i këtij studimi, Arsim Bajrami ka treguar arsyen që ka vendosur ta botoj këtë libër.
Bajrami tha se ky studim ka qenë edhe delikat, pasi sipas tij Bashkësia Ndërkombëtare në tërë botën është hezituese ndaj gjenocidit.
“Në të vërtetë për gjenocidin është shkruar dhe është fol mjaftë në Kosovë në kohën e pasluftës, janë bërë libra të tërë historik, publicistik, por ka munguar një studim i mirëfilltë juridik, sepse çështja e gjenocidit është çështje ligjore, juridike dhe për këtë arsye unë kam ndërmarrë të shkruaj. Bashkësia Ndërkombëtare në tërë botën është hezituese ndaj gjenocidit, mandej edhe ajo që po ndodh sot në Ukrainë po hezitojnë ta quajnë gjenocid, për arsyeje politike. Por, kam vlerësuar se është me rendësi që Akademia e Shkencave të ketë një botim me të cilin ligjërisht argumentohet e vërteta e luftës së Kosovës”, tha Bajrami.