Përgatiti: Nora Luta
Prokuroria Speciale e Kosovës është e bindur që Zlatan Arsiq, i cili gjatë 20 vjetëve të kaluara shërbeu në Policinë e Kosovës, ka kryer krime lufte në Kamenicë gjatë periudhës së luftës.
Sipas organit të akuzës, Arsiq, në bashkëpunim me pjesëtarë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, keqtrajtoi e kanosi me jetë Besim Muhaxherin.
Por, sipas Prokurorisë, gjatë provave që do të prezantohen në këtë gjykim, do të dëshmohet që ish-pjesëtari i Policisë mori pjesë edhe në dëbimin e torturimin e civilëve të tjerë shqiptarë në Kamenicë, gjatë marsit të vitit 1999.
Ndërsa, Arsiq duke u thirrur në kohën kur shërbente si Polic, mohon akuzat.
“Qe 20 vjet kam qenë polic i Kosovës në Kamenicë, e njoh Besimin dhe ai më njeh mua. Ajo me të cilën po ngarkohem nuk e kam bërë unë dhe nuk kam pasur problem me asnjë shqiptar”, tha Arsiq.
Megjithatë, mbrojtja nuk kontestoi se ngjarja ka ndodhur. Sipas mbrojtjes, megjithatë, nuk ka prova materiale që e inkriminojnë Arsiqin. Rrjedhimisht mbrojtja kërkoi që t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, ose të dorëzanisë.
“Jemi të gatshëm t’i deponojmë 30 mijë euro. Mbrojtja konsideron që Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë materiale”, tha Vasilije Arsiq, avokat i Zlatan Arsiqit.
Gjykata ka refuzuar propozimin e mbrojtjes, i cili u kundërshtua edhe nga Prokuroria.
Zlatan Arsiq është arrestuar në mars të këtij viti dhe po mbahet në Burgun e sigurisë së lartë.