Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari F.N., 46-vjeçar nga fshati Maqitevë i Komunës së Suharekës, i cili ishte në kërkim nga organet e rendit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit, rasti lidhet me një aksion të zhvilluar më 16 shtator 2025 nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit në një objekt në fshatin Maqitevë është zbuluar dhe sekuestruar një sasi e madhe e substancës narkotike marihuanë (kanabis sativa), mbi 500 kilogramë, saktësisht 512 kilogramë, në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune për kultivim dhe përpunim, dy telefona celularë si dhe prova të tjera materiale.
Po ashtu, prokuroria ka bërë të ditur se është lëshuar urdhër i përkohshëm për sekuestrimin dhe ngrirjen e dy parcelave me sipërfaqe prej 1963 m² dhe 1438 m² në fshatin Maqitevë.
Sipas dyshimeve të ngritura, i pandehuri në një periudhë të pacaktuar kohore deri më 16 shtator 2025, në pjesën malore të këtij fshati, ka kultivuar pa autorizim bimën kanabis sativa me qëllim prodhimin dhe përgatitjen për shitje dhe shpërndarjen e saj në treg.
Me këto veprime, ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri aktualisht ndodhet në ndalim 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.






