Kalo te përmbajtja
Të fundit

Strategjia për ish-krerët e UÇK-së në Apel, Kuvendi cakton Çitakun në grupin punues

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Strategjia për ish-krerët e UÇK-së në Apel, Kuvendi cakton Çitakun në grupin punues

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, do ta përfaqësojë legjislativin në grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e bëri të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se përfshirja e institucionit në këtë proces synon të kontribuojë në hartimin e strategjisë, raporton KosovaPress.

Reklamë

Haxhiu bëri të ditur se Kuvendi do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me Çitakun, ndërsa në proces pritet të përfshihen edhe ekspertë të fushës, të cilët do të mund të japin kontributin e tyre profesional.

“Kryesia e Kuvendit ka caktuar nënkryetaren Vlora Çitaku si anëtare në grupin punues për hartimin e strategjisë për procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Si kryetare e Kuvendit, e kam mirëpritur vendimin e Qeverisë në raport me këtë proces. Gjithmonë kam konsideruar se rruga më e mirë për këtë proces është të formohet strategjia. Ne do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me anëtaren që sapo e deleguam në këtë grup, në mënyrë që Kuvendi të japë kontribut maksimal. Po ashtu, do të ftohen edhe ekspertë të fushës që mund të japin kontributin e tyre profesional në këtë grup”, tha Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit theksoi gjithashtu se çdo veprim do të koordinohet me ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së, në mënyrë që përpjekjet institucionale të kenë ndikim konkret në procesin gjyqësor. Ajo nënvizoi se prioritet duhet të jetë puna e grupit punues, kontributi i ekspertëve dhe bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse.

“Çfarëdo veprimi i yni duhet të jetë i koordinuar me ekipet mbrojtëse. Ne kemi pasur diskutime të gjata sa i përket ligjit që është miratuar në Kuvend dhe pret të dekretohet nga presidentja. Është e rëndësishme të marrim veprime që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë proces, të mbrojtjes që duhet t’ua ofrojmë personave që janë në Hagë, dhe jo të bëjmë veprime që duket se po bëjmë diçka. Prioritet duhet t’i jepet strategjisë, punës së anëtarëve të grupit punues dhe ekspertëve, bashkë me ekipet mbrojtëse”, tha ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se deputeti Adnan Rrustemi do ta përfaqësojë këtë parti në grupin punues për hartimin e strategjisë për ish-krerët e UÇK-së.

“Nga ana e Grupit Parlamentar të LVV-së do të jetë deputeti Adnan Rrustemi, i cili, në bashkëpunim me organizatën, do të japë kontribut maksimal në këtë grup punues”, tha Nagavci.

Ndërkaq Besnik Tahiri nga Aleanca ka bërë të ditur se nga kjo parti në grupin punues do të jetë Bekë Berisha.

“Në grup do të përfaqësohet nga Bekë Berisha, deputet dhe luftëtar i jashtëzakonshëm e po ashtu kryetar i komisionit për AKI. Unë do të kërkoj brenda kryesisë që kuvendi të bëjë punën e vet si detyrim shtetëror dhe kombëtar prej këtu”, tha shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri.

Ndryshe, më 16 shtator, në shkallën e parë, Dhomat e Specializuara kanë dënuar ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim. Hashim Thaçi me 25 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. /KP/

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’