Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.H., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 03.02.2026, rreth orës 19:14, në rrugën “Brahim Ademi”, tek rrethi afër FSK-së në Ferizaj, i pandehuri pa autorizim ka poseduar, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substanca psikotrope, analoge apo preparate që me ligj janë shpallur si narkotikë.
Sipas dosjes së rastit, pas ndaljes dhe kontrollimit të veturës “Renault Clio” nga hetuesit e DHTN-së në Ferizaj, në kroskotin e veturës nga ana e pasagjerit është gjetur një qese najloni (dozë) me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 206.90 gram.
Më pas, DHTN-Ferizaj, në bashkëpunim me DHTN-Prizren, kanë kryer kontroll-bastisje në shtëpinë pronë e babait të të dyshuarit në Prizren. Gjatë këtij kontrolli janë gjetur dy (2) qese najloni (doza) me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 8.15 gram, të cilat ishin të vendosura në dhomën e tij. Të gjitha këto janë sekuestruar nga ana e policisë.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i pandehuri do të kishte kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri F.H., që nga data 03 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.






