Një ngjarje e rëndë ka tronditur Mitrovicën mbrëmjen e së martës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me thikë, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar dhe është dërguar për trajtim në QKUK.
Siç ka raportuar Sinjali, Erduan Ibrahimi është personi që ka humbur jetën tragjikisht, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe Shaban Ibrahimi, i cili po trajtohet në QKUK në Prishtinë dhe sipas informacioneve të para, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
I dyshuari për rastin është Arben Spasolli.
Lidhur me ngjarjen ka dhënë detaje edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ku viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, ndërsa i plagosur ka mbetur vëllai i tij.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda është dërguar në mbajtje.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë pritet që, brenda afatit të paraparë ligjor, të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.





