Princi William dhe Princesha Catherine kanë dalë fitues në një çështje gjyqësore ndaj revistës franceze Paris Match, pasi kjo e fundit publikoi pa leje fotografi paparaci të çiftit dhe fëmijëve të tyre gjatë një pushimi privat në Alpet franceze.
Sipas një komunikate nga Pallati Kensington, çifti mbretëror ndërmori veprime ligjore menjëherë pas publikimit të fotove në prill, ku ata shfaqeshin së bashku me fëmijët, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis duke kaluar momente familjare në dëborë dhe duke u relaksuar në ballkonin e chalet-it të tyre.
Gjykata franceze vendosi në favor të çiftit, duke theksuar se botimi i Paris Match “cenonte të drejtën e respektit ndaj jetës private dhe imazhit” të Familjes Mbretërore. Revista, e cila është në pronësi të grupit luksoz LVMH, u urdhërua të publikojë zyrtarisht vendimin gjyqësor dhe të mbulojë shpenzimet ligjore të Princit dhe Princeshës së Uellsit.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Pallatit Kensington theksoi se ky vendim “rikonfirmon të drejtën e Familjes Mbretërore për privatësi, pavarësisht detyrave të tyre publike”. Ai shtoi se William dhe Catherine “mbeten të vendosur të mbrojnë fëmijët e tyre nga çdo ndërhyrje në jetën personale” dhe nuk do të hezitojnë të ndërmarrin masa të ngjashme në të ardhmen.
Ky është rasti i dytë që çifti mbretëror fiton kundër mediave franceze. Kujtojmë se në vitin 2017, ata morën dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh pasi revista Closer publikoi fotografi topless të Princeshës Catherine gjatë pushimeve në Provence në vitin 2012, një rast që gjithashtu u cilësua si shkelje e rëndë e privatësisë.


 
                                     
    




