Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë së fundmi një video të veçantë nga takimi që u zhvillua të enjten në Presidencë me yllin botëror të muzikës, Dua Lipa.
Në një atmosferë solemne dhe plot emocion, Lipa u prit nga Presidentja Osmani në një ceremoni zyrtare, ku iu dorëzua shtetësia e Kosovës si një akt mirënjohjeje për rolin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës.
Pamjet e publikuara tregojnë momente prekëse nga pritja, përfshirë edhe një interpretim të veçantë nga kori i vajzave që e mirëpritën artisten me këngën e saj të famshme “Levitating”, ndërsa ajo po hynte në ambientet e Presidencës. Emocionet ishin të dukshme në fytyrën e Lipës, e cila u shpreh më herët se ky ishte një nga momentet më të veçanta në jetën e saj.
Presidentja Osmani, në postimin e saj, theksoi se Dua Lipa është simbol i suksesit, krenarisë dhe identitetit të rinisë kosovare: “Me zërin, talentin dhe përkushtimin e saj, ajo i ka dhënë jehonë Kosovës në gjithë botën. Kjo shtetësi është vetëm një gjest i vogël në krahasim me atë që ajo ka bërë për ne”.
Vizita e Dua Lipës në Presidencë vjen në prag të edicionit të sivjetmë të festivalit “Sunny Hill”, ku ajo do të performojë për herë të tretë në Prishtinë, të premten mbrëma, duke rikthyer emocionin dhe energjinë në njërën nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit në Kosovë.