Një skandal ka shpërthyer në Slloveni, pasi presidentja Natasha Pirc Musar është përfshirë në një debat të fortë mbi lidhjet e dyshuara me persona me të kaluar të lidhur me inteligjencën ruse.
Çështja doli në pah pas një aksidenti automobilistik më 31 korrik, në të cilin u përfshi makina zyrtare e presidentes. Mes personave që udhëtonin me të ishte Viktorija Krivolucka, një mike e vjetër e Pirc Musar me origjinë ruse. Presidentja u shtrua në spital pas aksidentit, ku pësoi frakturë të klavikulës.
Krivolucka është lidhur nga mediat sllovene me Roman Jegliq, një ish-zyrtar të inteligjencës sllovene, i cili u largua drejt Rusisë në vitet ’90. Sipas raportimeve, Krivolucka ka konfirmuar se kishte jetuar me Jeglič në Rusi për disa vite, por ka deklaruar se nuk ka pasur kontakte me të prej rreth 15 vitesh.
Kërkohet t’i ndalohet qasja në informacionet sekrete
Skandali ka marrë përmasa politike pasi deputeti i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Žan Mahnič, i ka kërkuar qeverisë të ndalojë furnizimin e presidentes dhe zyrës së saj me raporte të inteligjencës dhe sigurisë.
Mahnič argumenton se dyshimet për lidhje me rrjete ruse kërkojnë një vlerësim të plotë të kundërzbulimit dhe mbrojtjes së informacionit të klasifikuar. Komisioni parlamentar i sigurisë ka kërkuar gjithashtu sqarime nga shërbimet kompetente për ndikimin e mundshëm rus në rrethin e presidentes.
Presidenca ka deklaruar se presidentja nuk bashkëpunon me rrjetet e inteligjencës ruse dhe ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet që e lidhin atë drejtpërdrejt me Roman Jeglič. Sipas zyrës së presidentes, Pirc Musar nuk e ka takuar dhe nuk e njeh personalisht ish-zyrtarin e inteligjencës.
Edhe Krivolucka ka mohuar lidhjet aktuale me inteligjencën ruse, duke deklaruar se nuk ka pasur kontakte me Jeglič për shumë vite. Deri tani, nuk është bërë publike ndonjë provë që tregon se ajo ka bashkëpunuar me shërbimet ruse. /Ballkanweb





