Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka paralajmëruar se do t’i “ngrejë armët” nëse SHBA vendos ta sulmojë atë ose vendin e tij pas një serie kërcënimesh nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në një postim në X, Petro theksoi përpjekjet e tij për ta luftuar trafikimin e drogës, të cilat Trump i ka kritikuar, dhe vazhdoi duke pretenduar se sulmet ushtarake amerikane kundër trafikantëve në Kolumbi do të rrezikonin vrasjen e fëmijëve dhe do të nxisnin rekrutimin për grupet separatiste që kanë qenë në konflikt me shtetin për dekada.
“Dhe nëse e arrestojnë një president që e ka mbështetjen dhe respektin e një pjese të madhe të vendit, ata do të nxisin një kryengritje popullore”, shtoi ai.
Petro, ish-anëtar i grupit gueril M19, gjithashtu tha se ai vetë do të luftonte për ta mbrojtur Kolumbinë, raporton CNN.
“Betova të mos prek më armë… por për atdheun do t’i ngre armët përsëri”, tha ai.
Trump pati fjalë të ashpra për Petron të dielën, duke e përshkruar atë si “një njeri të sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në Shtetet e Bashkuara, dhe nuk do ta bëjë këtë shumë gjatë”.
Kur u pyet nga një gazetar nëse këto komente nënkuptonin se mund të ketë një “operacion” në Kolumbi në të ardhmen, Trump u përgjigj, “më tingëllon mirë”.
Duke folur për The New York Times të hënën, ministri i mbrojtjes i Kolumbisë, Pedro Sanchez, refuzoi t’i trajtonte kërcënimet e Trumpit, duke theksuar në vend të kësaj se dy vendet kanë “një marrëdhënie shumë të afërt”.
Sanchez tha se mbetet në komunikim me zyrtarët amerikanë dhe se sulmet e mundshme ushtarake ndaj Kolumbisë nuk janë diskutuar gjatë bisedimeve të fundit, raportoi Times.






