Basketbollistët e Portlandit siguruan një vend në play-offin e NBA-së pas një fitoreje dramatike 114:110 ndaj Phoenix-it.
Në një përballje plot ritëm dhe emocione, skuadra e udhëhequr nga fantastiku Deni Avdija dominoi në momentet vendimtare të fazës play-in. Avdija ishte protagonisti absolut i mbrëmjes me një paraqitje brilante prej 41 pikësh, të shoqëruara me 7 kërcime dhe 12 asistime, duke e çuar ekipin e tij drejt raundit të parë të play-offit, ku do të përballet me San Antonion. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Jrue Holiday me 21 pikë, ndërsa në anën tjetër nuk mjaftuan 35 pikët e Jalen Green dhe 22 të Devin Booker.
Ndërkohë, një tjetër ndeshje spektakolare u zhvillua mes Charlotte dhe Miami, ku vendasit triumfuan me rezultat të ngushtë 127:126 pas kohës shtesë.
Heroi i mbrëmjes ishte LaMelo Ball, i cili realizoi koshin vendimtar vetëm 4.7 sekonda para fundit të vazhdimeve, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij. Miami pati mundësinë e fundit për të përmbysur rezultatin, por tentativa e Davion Mitchell u ndal nga një bllokim vendimtar i Miles Bridges, duke vulosur kështu fitoren e Charlotte.
Me këtë sukses, Charlotte vazhdon garën në play-in dhe për një vend në play-off do të përballet me humbësin e ndeshjes mes Philadelphia dhe Orlando.






