Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka shqiptuar 1742 gjoba trafiku gjatë një jave, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë.
Sipas njoftimit të Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, aktivitetet janë zhvilluar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në periudhën 27 shkurt – 5 mars 2026.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar gjashtë aksidente trafiku me dëme materiale dhe dhjetë aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 24 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 40 gjoba për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit dhe 28 gjoba për modifikim të automjeteve, përkatësisht vendosje të folieve të errëta në xhama.
Në kuadër të masave ndëshkuese, policia ka shqiptuar edhe masën e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 65 ngasës.
Policia Rajonale në Gjilan ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të ulin shpejtësinë, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të vendosin rripin e sigurisë.
“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e policisë.






