PËRGATITI: ARMAND HOTI
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë, informoi Policinë se dikush në komunat në veri, po operon pa licencë.
Operatori i paregjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, rezultoi të jetë Posta e Serbisë.
Në aksionin që zhvilloi policia gjatë të hënës në veri, mbylli nëntë objekte të postës.
Në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq u mbyllën nga tre objekte, dy në Zveçan, kurse një në Zubin Potok.
Forcat e rendit, dolën nga ky objekt i postës në Mitrovicë të Veriut, me qeset e mbushura me materiale, që do të ekzaminohen.
Por, Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, nuk tregoi nëse nga objektet e bastisura janë marrë edhe para.
“Procedura policore është e tillë që nëse gjejmë ndonjë provë, e marrim dhe ia çojmë prokurorit dhe ai vendos se çfarë do të bëjë me to. Nuk mund të them se çfarë është marrë saktësisht, ndoshta vula dhe dokumente. Varet nga ajo që gjendet”, deklaroi Elshani.
Ndërkaq, Partia e Serbëve të Kosovë me AleksandarJaballanovicin në krye, pretendoi se autoritetetkosovare hodhën rrugëve të Mitrovicës së Veriut letra dhe fatura të marra brenda objekteve të postës.
Megjithatë, shpejt u dëshmua e kundërta.
Ishte vetë politikani serb në Mitrovicë të Veriut, Aleksandar Arseinjovic, i cili protestoi ndaj aksionit duke hedhur zarfe të bardhë.
Lista Serbe, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, përmendi se aksioni për mbylljen e postave është, siç thanë ata, “vazhdim i planit të spastrimit etnik të serbëve”.
Veç Listës Serbe, reagime për aksionin e të hënës kishte edhe nga Beogradi./atvlive.tv






