Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Njësia për Kontroll të Autostradave, në kuadër të planit për parandalimin e garave ilegale të shpejtësisë, ka ndërmarrë aksione gjatë javës së fundit.
Sipas njoftimit, vetëm brenda një jave janë parandaluar tri raste të garave ilegale në autostradë, ku janë shqiptuar masa dhe gjoba ndaj shoferëve të përfshirë.
Në njoftimin e Policisë thuhet: “ka arritur që në tri raste të parandalojë garat ilegale të shpejtësisë me automjete”, ndërsa janë shqiptuar gjithsej disa gjoba për shkelje të ndryshme në trafik.
Po ashtu, policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe automjete të dyshuara për modifikime teknike. Në njoftim theksohet: “gjatë vikendit janë sekuestruar përkohësisht 4 automjete të dyshuara për modifikim në sistemin e tërheqjes”, të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit teknik të jashtëzakonshëm.
Policia e Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë rrugore, duke raportuar rastet e tilla dhe duke mos u përfshirë në gara ilegale. Në fund të njoftimit theksohet: “APELON tek të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në sigurinë e trafikut rrugor” dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për parandalimin e këtyre rasteve.





