Sot rreth orës 12:00, një incident ka ndodhur në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë një person të kërkuar, L.K. (1996), i cili ndodhej në një veturë.
Sipas informacionit të konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i dyshuari ka refuzuar urdhrat policore dhe ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të policisë.
Në përpjekje për ta ndaluar, njëri nga policët ka përdorur armën zyrtare, por i dyshuari ka arritur të largohet.
Gjatë arratisjes, ai ka shkaktuar një aksident trafiku, duke lënë të lënduar disa persona dhe shkaktuar dëme materiale. Për incidentin janë njoftuar institucionet kompetente dhe hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Policia ka marrë masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e personit të dyshuar. Detajet e mëtejshme priten të dalin pas hetimeve.





