Policia e Kosovës i ka shpërndarë me forcë aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore dhe aktivistë të tjerë të cilët janë duke protestuar që nga mëngjesi para Rektoratit për shkarkimin e profesorit Xhevat Krasniqi i cili dyshohet për ngacmime seksuale ndaj studenteve.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Rron Gjinovci, drejtori i Organizatës Jo-qeveritare ORCA.
Aktivistët kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit duke pamundësuar hyrjet dhe daljet nga ky objekt.
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës (UP), pas tri jave pas raportimit të rastit, ka nisur më 28 mars shqyrtimin për herë të parë të denoncimeve të paraqitura nga 27 studente për ngacmim seksual kundër profesorit të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi.
Ani se rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditësh që pas denoncimit të një shkeljeje, Këshilli ende nuk ka marrë vendim për rastin.






