Policia e Kosovës vlerëson se situata në Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan është e brishtë, por e qetë. Përmes një komunikate për media PK iu bëri thirrje qytetarëve të martën për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve të dhunshme dhe provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato.
Nga Policia e Kosovës kanë thënë se për shkak të zhvillimeve të ndodhura dje në veri, ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit është ëprshkallëzuar dhe ka degraduar deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.
Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.
“Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë. Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme”, thuhet në komunikatë.
Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Dje (e hënë), protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme një ditë më parë, u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it.