Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në komunën e Leposaviqit, ku është sekuestruar një sasi e madhe cigaresh të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia, me vlerë të përafërt prej 80 mijë euro.
Operacioni është zhvilluar nga njësitet e Departamentit të Kufirit, konkretisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë – Veri, të cilat, më 25 gusht 2025, gjatë realizimit të një plani taktik-operativ të bazuar në informata operative, kanë identifikuar një automjet të braktisur të tipit VW Transporter, me targa të Republikës së Kosovës, në fshatin Cerajë të komunës së Leposaviqit.
Gjatë kontrollit, brenda automjetit janë gjetur 797,000 copë cigare të llojeve të ndryshme, të gjitha pa banderola, të dyshuara si të kontrabanduara në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia.
Sipas vlerësimeve të para, vlera e përgjithshme e mallit të sekuestruar kap shifrën e rreth 80 mijë eurove.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, automjeti dhe cigaret janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme ligjore nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet intensive në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme që cenojnë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit./ATVLIVE/