Policia e Kosovës dhe inspektorët e MAShT-it kanë zbarkuar sot në çerdhen shtetërore “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, pas raportimeve të familjarëve të një 3-vjeçari se është rrahur brutalisht nga edukatoret në kopsht.
Familjarët kanë publikuar edhe video nga keqtrajtimi. E, nga fotografitë e publikuara shihet se i vogli ka marrë edhe lëndime nëpër duar.
“Nipi im ka pësuar trauma të rënda psiçike dhe nuk mund të flejë më, nipi po përjeton një ankth të madh”, shkruan ndër të tjerash Fatos Geci.
Ai ka kërkuar nga organet kompetente që të merren seriozisht me rastin.
“Kërkoj nga organet e drejtësis të bëjnë punën e tyre. IDIOTEVE dhe mostrave të tilla duhet t’i jepet fund një herë e përgjithmonë. Le të jetë rasti i fundit i dhunës ndaj fëmijëve”, ka shkruar ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas rastit të keqtrajtimit të një fëmije në një çerdhe në Fushë-Kosovë.
Ajo thotë se dhuna është e papranueshme andaj edhe pret që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.
“Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme”, njofton ministrja.