Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në pagesën e ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.
Sipas Sindikatës, nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.
‘‘Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje’’, thuhet mes tjerash në reagim.
Sindikata i bën thirrje Ministrisë së Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura dhe të sigurojë kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara”, thuhet në reagimin e Sindikatës.