20.7 C
Pristina
Tuesday, May 20, 2025
Banner

​Plani i Rritjes, qeveria në detyrë thotë se s’ka kthim në pikën zero

Negocimi i marrëveshjes së Kosovës me Bashkimin Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk mund të kthehet në pikën zero, pavarësisht vonesave për ratifikimin e saj në parlament, thonë në qeverinë në detyrë. Në anën tjetër, në bllok deklarojnë se po presin ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të disbursojnë mjetet e para-financimit prej 61 milionë eurosh.

Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani. Kjo situatë, sipas njohësve të integrimeve evropiane, nëse vazhdon edhe më tutje, do të rrezikojë marrjen e këtyre fondeve.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

Vonesat në marrjen e këtyre mjeteve, sipas Klisman Kadiut, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, po ndodhin “si pasojë e bllokimit nga opozita” të rrugës për formimin e institucioneve, e cila, siç thotë ai, ka një dëm të dukshëm për marrjen e fondeve dhe avancimin e reformave të integrimit evropian.

“Nuk bëhet fjalë për kthim në pikën zero, por për një dëm të dukshëm dhe bllokues të vijimësisë në marrjen e fondeve dhe avancimin në zbatimin e reformave, që po vjen si pasojë e bllokimit nga opozita të rrugës për formimin e institucioneve të reja. Mesa duket për ta, interesat personale dhe partiake janë më të rëndësishme sesa interesat shtetërore dhe krijimi i institucioneve të reja, që do sillte edhe marrjen e para-financimit në vlerën 7% apo 61,2 milionë euro nga shuma totale prej 882,6 milionë euro që do të përfitojë Kosova nga Bashkimi Evropian përmes Planit të Rritjes për 3 vitet e ardhshme”, thotë Kadiu në një përgjigje për KosovaPress.

Ndërkaq, në Bashkimin Evropian nuk treguan për KosovaPress se – nëse vazhdon vonesa nga ana e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për Planin e Rritjes – a mund të rikthehet në pikën zero negocimi i saj.

Megjithatë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, thotë për KosovaPress se në rastin e Kosovës janë në fazën përfundimtare të hapave procedurale, të cilët pritet të mundësojnë disbursimin e parave paraprake sa më shpejt në vitin 2025.

“Komisioni e ka vlerësuar Agjendën e Reformës dhe ka konkluduar se ajo është në përputhje me objektivat dhe kërkesat e Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Agjenda e Reformës u miratua më 23 tetor 2024 përmes një Vendimi Zbatues të Komisionit, pas një opinioni pozitiv nga Shtetet Anëtare. Kosova ka kërkuar lirimin e parave paraprake deri në 7% të shumës totale të parashikuar në kuadër të këtij Mekanizmi. Aktualisht, Komisioni dhe Kosova janë në fazën përfundimtare të hapave procedurale, të cilët pritet të mundësojnë disbursimin e parave paraprake sa më shpejt në vitin 2025, në pritje të përfundimit të procesit të ratifikimit nga ana e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e saj për KosovaPress.

Për shkak të kësaj situate, por edhe nevojave të brendshme, sipas analistit politik Dorajet Imeri, themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është urgjencë.

“Konstituimi i institucioneve të Kosovës, fillimisht Kuvendi dhe më pas qeveria, nuk është vetëm një urgjencë e brendshme, por edhe në veçanti me raportet me partnerët strategjikë dhe Bashkimin Evropian. Ka miliona euro që janë në pritje të zotimeve që Kosova mund të marrë dhe kjo nuk mund të bëhet pa konstituimin e Kuvendit. Është shumë e rëndësishme për Kosovën që sa më parë që të jetë e mundur të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, në mënyrë që Kosova t’i japë përgjigje BE-së dhe nevojave të qytetarëve”, deklaron ai.

Qeveria e Kosovës ka negociuar dhe aprovuar që në tetor të vitit të kaluar Agjendën e Reformave me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes dhe si e tillë ajo është aprovuar si vendim edhe nga Komisioni Evropian.

Në hapat e radhës, janë dy marrëveshje që duhet të ratifikohen nga Kuvendi. E para është marrëveshja për Instrumentin e Planit të Rritjes, e cila është nënshkruar nga qeveria dhe Komisioni Evropian dhe është dërguar në Kuvend që në dhjetor 2024. E dyta është ajo për ratifikimin e marrëveshjes për hua.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë një kandidat tjetër, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është një emër i papranueshëm./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA