Përgatiti: Arton Hamiti
Paraditja e së premtes nuk ishte e qetë për banorët e lagjes “Dardania” të kryeqytetit.
Teksa po qëndronte në një kafene, të cilën e frekuentonte shpesh, Dëfrim Kuqi u plagos me armë zjarri nga një person tashmë i identifikuar.
Prapa kamerës, dëshmitarët rrëfyen për incidentin që ndodhi rreth orës 11:00.
Naser Syla, drejtor i Emergjencës, përmes telefonit konfirmoi se gjendja e të plagosurit është e rëndë. Kurse, televizioni mësoi se 36-vjeçari ka plagë në abdomen dhe në këmbë.
Ndërkohë, policia e cila iu përgjigj thirrjes menjëherë, është duke i vazhduar hetimet.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar (i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Deri në transmetimin e kësaj kronike, personi i njohur për Policinë, pasi që dyshohet edhe për vepra të tjera penale, nuk është arrestuar.