Në një lidhje live nga Doha për Euronews Albania, regjisori producenti Eki Rrahmani foli mbi situatën e tensioneve që ka përfshirë gjithë Lindjen e Mesme.
Sipas tij, situata mbetet për momentin e qetë në Katar, por siç e theksoi edhe ai, qytetarët jetojnë me frikën se mos sulmet mund të shënjestrojnë ndërtesat e tyre. Sakaq, ai theksoi se shqiptarët që ndodhen në Katar kanë një komunikim të vazhdueshëm dhe se janë në pritje të zhvillimeve që mund sjell kjo luftë.
“Vendet e Gjirit Persik kanë qenë oaze për luftëra të tjera që kanë ndodhur këtu në rajon. Oaze që ju kanë dhënë siguri investitorëve, por në një farë mënyre u është prishur ai imazh pasi tani nuk është më ai vend i sigurt me zhvillimin e luftës.
Çdo ditë është dhe duke shkuar më lart tensioni, nuk ka nivele më të larta. Nuk është ndjenjë e mirë kur çdo ditë dëgjon se po gjuajnë me bomba, ku çdo herë mendojmë se mund të jetë shtëpia apo godina jonë në shënjestër.
Megjithatë është një tension i menaxhueshëm, kur shikoj një pamje më të gjerë se çfarë po ndodh në të gjithë rajonin krahasuar me këtu, mendoj se është ok.
Kemi qenë një komunitet më i madh para pandemisë, ndërkohë gjatë pandemisë shumica nuk u kthyen më. Jemi një komunitet me qindra, le të themi, jemi një komunitet i vogël, por jemi në kontakt me njëri-tjetrin, është komunitet i vogël, por kemi lidhje të ngushta.
Tani hapësira ajrore është e mbyllur, po presim për njoftime edhe nga shtetet e tjera se çfarë ka për të ndodhur. Jemi në kontakt me ambasadën e Kosovës, të Shqipërisë, të Anglisë, por pak a shumë të gjithë jemi në të njëjtën situatë.
Po presim mos po bëhet ndonjë korridor që shtetet t’i tërheqin shtetasit e tyre prej Katarit dhe prej vendeve të tjera të Lindjes.
Nga informatat që kam marrë, në Katar janë 8000 mijë udhëtarë që kanë mbetur, sepse aeroporti i Katarit është një nga aeroportet më të ngarkuara.
Vendet e ndryshme duan të evakuojnë qytetarët e tyre dhe kjo është problem i Presidentit Trump dhe Netanyahut, të cilët nuk kanë një plan se çfarë do të ndodhë më pas”, u shpreh ai.






