Të paktën 23 persona kanë humbur jetën në Meksikë deri në fund të një jave me reshje të dendura shiu, kanë bërë të ditur autoritetet.
Autoritetet e mbrojtjes civile të Meksikës raportuan të premten reshje të forta në 31 nga 32 shtetet e vendit, me zonat më të prekura që ishin Veracruz në lindje, Querétaro dhe Hidalgo në qendër, si dhe shteti verior qendror San Luis Potosí. Në shtetin e Hidalgo-s u raportuan 16 viktima dhe rreth 1,000 shtëpi të dëmtuara. Pesë persona humbën jetën në Puebla, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur, raporton the guardian,transmeton Sinjali.
Një fëmijë ka vdekur në shtetin e Veracruz-it dhe një oficer policie në Querétaro.
Laura Velázquez, koordinatorja kombëtare e mbrojtjes civile, tha se në zonat e prekura janë regjistruar rrëshqitje dheu, përmbytje të lumenjve dhe shembje rrugësh.
Pas një takimi me zyrtarë lokalë dhe anëtarë të kabinetit të saj, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se autoritetet “po punojnë për të ndihmuar popullsinë, për të rihapur rrugët dhe për të rikthyer energjinë elektrike”. Ushtria është dërguar për të ndihmuar në shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura, me mbi 5,400 trupa të angazhuar, së bashku me pajisje shpëtimi dhe mjete transporti.
Janë hapur strehimore për njerëzit e zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Meksika është përballur me reshje jashtëzakonisht të mëdha gjatë vitit 2025, duke shënuar edhe një rekord të ri të sasisë së shiut në kryeqytetin, Mexico City.
Ndërkohë, stuhia tropikale “Raymond” ndodhej në brigjet e Paqësorit të vendit të shtunën, duke shkaktuar reshje të dendura teksa lëvizte drejt veriut. Dëme nga kjo stuhi janë raportuar në shtetet Chiapas, Guerrero, Oaxaca dhe Michoacán.
Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së, pritej që stuhia të godiste pjesën jugore të gadishullit Baja California gjatë fundjavës.