Prishtina e Re ka shënuar një fitore të madhe ndaj FC Prishtina me rezultat 3-2, në kuadër të javës së 33-të të Superliga e Kosovës, ndonëse ishte në disavantazh 0-2.
Pjesa e parë u karakterizua nga raste të shumta, por goli erdhi vetëm në kohën shtesë. Pas një prekjeje të topit me dorë, u akordua penallti, të cilën Leotrim Kryeziu e shndërroi në gol për epërsinë 0-1 të Prishtinës.
Në pjesën e dytë, Prishtina e dyfishoi avantazhin kur Dren Zeqiri asistoi për Ardian Muja, i cili realizoi për 0-2.
Megjithatë, reagimi i Prishtinës së Re ishte i menjëhershëm. Ibrahim Kargbo shënoi për 1-2, duke rikthyer ekipin në lojë.
Situata u vështirësua për Prishtinën kur Arjol Bllaca u ndëshkua me karton të kuq, vetëm 13 minuta pasi ishte futur në lojë.
Me një lojtar më shumë, Prishtina e Re shtoi presionin dhe barazoi rezultatin nga penalltia, me golin e Nedim Mekić për 2-2.
Përmbysja u kompletua në minutën e 77-të, kur sërish Kargbo realizoi për 3-2, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë shumë të rëndësishme.
Pas kësaj ndeshjeje, Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Prishtina e Re vazhdon në fund të tabelës me 31 pikë, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.





